Kosova dhe Finlanda luajnë të martën në “Loro Boriçi” ndeshjen e vlefshme për Kampionatin Botëror 2018. Policia e Shkodrës ka publikuar edhe masat e mara për këtë ndeshje për ditën e nesërme.
Për lëvizjen e automjeteve dhe parkimin e tyre do të përdoret Unaza e Qytetit Shkodër, si nga krahu lindor ashtu edhe nga krahu perëndimor. Për parkim të automjeteve në qytetin Shkodër do të përdoren sheshi “Mehmet Shpendi” tek ish Ndërmarrja e Fermentimit, gjatësia e rrugës së Shkollës së Mesme Industriale “Arben Broci”, sheshi tek stacioni i trenit të udhëtarëve, sheshi dhe rruga tek “Fusha e Druve” në unazën lindore.
Në rrugën “Bujar Bishanaku”, duke filluar nga ora 10:00 do të ketë ndalim të qarkullimit rrugor dhe ndalim të parkimit të automjeteve në të dy kahet e rrugës, deri në orën 24.00. Marrja e këtyre masave bëhet për arsye se kjo rrugë do të jetë e vetmja rrugë kryesore e hyrje-daljes së tifozave vendas dhe të huaj.
Në aksin bulevardi “Zogu i Parë" duke filluar nga ora 10:00 do të ketë kufizim të qarkullimit dhe ndalim parkimi të automjeteve në të dy kahet e rrugës. Do të ndalohet parkimi i automjeteve dhe lëvizja e tyre nga degëzimet e rrugës që të çojnë në rrugën “B. Bishanaku” dhe anasjelltas, do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në rrugën “Zyhdi Repishti”, do të ndalohet parkimi dhe lëvizja e automjeteve në rrugën e tregut industrial dhe fruta-perime në Zdrale. Të gjitha këto kufizime do të bëhen nga ora 10.00 deri në orën 24.00.
Do të ketë kufizim lëvizjeje të automjeteve në orët e pasdites deri në përfundim të ndeshjes në segmentet rrugore: "Xhabije - Parrucë", "Sheshi 2 Prilli - Parrucë",
"Kryqëzimi i ish degës - Ish 5-Heronjtë", "Kryqëzimi i Rusit - Ish 5-Heronjtë".
Aktiviteti sportiv është parashikuar të fillojë në orën 20.45 dhe hyrja e tifozerisë, me qëllim shmangien e konfuzionit, do të nisë në orën 17.00. Administratorët e bizneseve që zhvillojnë aktivitet tregëtar përreth dhe në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi” të tregohen mirëkuptues duke i mbyllur aktivitetet në orën 14.00.