Një këngëtare shumë e famshme dhe shumë e dashur për publikun do të jetë pjesë e Festivalit të Fundvitit në RTSH. Kozeta Kurti- zëdhënëse e Fest ‘56 ka zbuluar për blitz.al se një tjetër surprizë e këtij edicioni do të jetë Adelina Ismaili.
“Një personalitet i rrallë artistik që prodhoi showbizi shqiptar i viteve ‘90-të, pritet të ngjitet në skenën e Festivalit më të madh në vend.
Plot këngëtare të tjera tentuan të ndiqnin gjurmët e saj, por mbetën përpjekje të mundimshme që filluan e mbaruan me veshjen, lookun, sepse askush nuk i afrohej dot kurajos skenike të artistes nga Kosova, as sharmit te saj, as rebelizmit.
Ka mall për Adelina Ismajlin, që kur vrau frikën për skenën madhështore të Festivalit, me “Mos ma gjuj diellin me gur’ “, ka mall për të që kur zhveshi më shumë se sa veten nga rrobat, mentalitetin e ndrydhur të një populli qe per gjysmë shekulli jetoi në izolim e qasja ndaj të resë, kishte vështirësi për pranim.
Pas një karriere që ka njohur veç rritje në kurbën e saj, me një pjekuri artistike për t’u admiruar, Adelina Ismaili është vlerë e shtuar për institucionin e Festivalit.”