Përmes një deklarate për shtyp Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bëri thirrje gjithë subjekteve zgjedhore të dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë.
KQZ bën me dije se 29 prilli është afati i fundit, ndërkohë që bën publik edhe listën e dokumenteve për secilin individ.
Deklarata e plote e KQZ
Një nga fazat e rëndësishme të procesit zgjedhor është dorëzimi në KQZ, i listave shumemërore të kandidatëve për deputet nga partitë politike dhe i kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit, që do të marrin pjesë në zgjedhjet për Kuvend të datës 18 qershor.
Ndaj, përmes kësaj deklarate KQZ sjell në vëmendjen e subjekteve zgjedhore, se në zbatim të nenit 67, 68 dhe 72 të Kodit Zgjedhor, listat shumëemërore të kandidatëve për deputet duhet të përmbajnë këto të dhëna:
listën e plotë të kandidatëve me renditjen përkatëse, të nënshkruar nga kryetari i partisë, ose propozimin nga komiteti nismëtar i një grupi zgjedhësish;
një kopje të dokumentit të identifikimit;
deklaratën e kandidatit se gëzon të drejtën dhe vullnetin për të kandiduar, në të cilin përfshihet, sipas rastit, deklarimi i dorëheqjes nga funksionet e përcaktuara në nenin 63 të këtij Kodi, shoqëruar me kopjen e deklaratës së dorëheqjes, të depozituar pranë institucionit përkatës;
deklaratën e kandidatit të propozuar nga një grup zgjedhësish se nuk do të mbështetet apo nuk do të mbështesë asnjë subjekt zgjedhor në zgjedhje;
një listë të nënshkruar nga zgjedhësit e zonës përkatëse, që mbështesin kandidatin ose partinë, sipas neneve 69 dhe 71 të këtij Kodi.