Suksesi i jashtëzakonshëm! Boksieri Robin Haxhi Krasniqi ka arritur të fitojë titullin Interkontinental të versionit WBO dhe WBA në peshën Super të Mesme duke mundur me pikë Jurgen Doberstein përpara publikut të tij në Saarbruecken.
Krasniqi, në ndeshjen e tij të parë në këtë peshë, mori fitoren e 46-të në karrierë duke e mundur në të gjitha aspektet rivalin e tij, që madje i rezistoi një rrebeshi grushtesh në raundin e 11-të, por pa mundur të evitojë dot humbjen pasi Krasniqi u pa dukshëm superior duke fituar dhe dy gjerdanë të artë nga kjo përballje, pas vendimit të gjyqtarëve që e shpallën fitues Krasniqin me pikë.
Haxhi Krasniqi nuk i ka harruar as këtë herë tifozët shqiptarë, të cilët e mbështetën mbrëmë në fitoren ndaj boksierit gjerman, Jurgen Doberstein.
“Gjithmonë do të luftoj me shpirt dhe me zemër kuq e zi. Faleminderit për përkrahjen. Ju dua shumë”, ka thënë boksieri nga Juniku i Kosovës pas ndeshjes.