INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kreditë e buta, Bashkia e Tiranës cakton 938 fituesit

Kreditë e buta, Bashkia e Tiranës cakton 938 fituesit

Publikuar më: 10:39 25-07-2017

Komisioni i Strehimit pranë Bashkisë së Tiranës ka caktuar më në fund emrat e familjarëve që përfitojnë kredi të butë. Bëhet fjalë për 938 banorë të Tiranës, të cilët kanë plotësuar të gjitha kushtet për t’u përzgjedhur nga lista me 2257 aplikantë.

Por në relacionin shoqërues, vetëm gjysma prej tyre, 1165, thuhet të kenë dorëzuar dokumentacionin e plotë, ndonëse jo plotësisht të saktë. Siç shkruan “Panorama” Emrat e tyre do të kalojnë këtë të mërkurë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, sakaq secili mund të bëjë përllogaritjet e mundësisë për t’u shpallur fitues, në rast se nuk ka qenë pjesë e gabimeve të pasqyruara në listën përbri shkrimit.

Kjo ishte hera e parë që Bashkia e Tiranës mori një iniciativë të tillë, të pavarur nga pushteti qendror, për të shtuar programin e kredive të buta në listën e mekanizmave të strehimit për familjet në nevojë.

JOFITUESIT

Ndërsa shumë u dyndën në dyert e bashkisë edhe në ditët e fundit, vetëm gjysma ishin treguar korrektë me dokumentacionin e kërkuar. Ka mjaftuar vetëm një mangësi e vogël në datë apo numrin e protokollit të një dokumenti shtetëror që një personi t’i skualifikohet dosja. Në tabelën përbri shkrimit janë listuar 13 elementet që i kanë bërë aplikantët jofitues pas shqyrtimit të dokumenteve nga Komisioni i Strehimit.

Po ashtu janë vënë re pasaktësi në emra, dosje të parregullta, mospërkime të aplikantit me emrin e kryefamiljarit e plot të tjera. Në listën e gjatë pasqyruar në relacionin që shkon të mërkurën e javës që vjen në Këshillin Bashkiak, nuk përjashtohen edhe rastet kur aplikantët kanë rezultuar me biznes të regjistruar dhe për më tepër nuk kanë sjellë asnjë dokument që provon të ardhurat. Pjesë e skualifikimit kanë qenë edhe pronarë.

“Nga vërtetimet e ZVRPP Tiranë apo ZVRPP të origjinës kanë rezultuar pronarë mbi normat e strehimit, komisioni i ka skualifikuar”, thuhet në relacion. Përcaktuese për të divorcuarit ka qenë dokumenti që vërteton të ardhurat shtesë për fëmijën.

Sipas marrëveshjes së bashkisë me bankën e nivelit të dytë, kjo e fundit lëvron deri në 80% të shumës totale të apartamentit në varësi të kërkesës që ka bërë përfituesi, i cili duhet të paguajë këstet mujore me interes 3%, ndërsa pjesën tjetër të interesave e mbulon bashkia (e cila për 3 vitet e para e ka falas).

Ata që e gjejnë veten në listën e përfituesve të kredisë së butë, por njëkohësisht trajtohen me një tjetër program strehimi nga bashkia, duhet të bëjnë zgjedhjen e tyre. Përfituesit e dyfishtë kanë dhjetë ditë kohë të heqin dorë nga njëri program, ose në të kundërt, përfituesi i kredituar nga banka humbet të drejtën e përfitimit nga programi tjetër.

Article Logic
Execution time: 0.0019168853759766