INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kreu i SHISH: Pajisja e përgjimit nuk u raportua kur hyri në Shqipëri 2 muaj më parë

Kreu i SHISH: Pajisja e përgjimit nuk u raportua kur hyri në Shqipëri 2 muaj më parë

Publikuar më: 10:11 18-05-2016

Në komisionin e Sigurisë Kombëtare po mbahen seancat dëgjimore me krerët e institucioneve të sigurisë. I pari që ka mbërritur në komision ishte kreu i SHISH Visho Ajazi, i cili që në fillim ka kërkuar seancë dëgjimore me dyer të mbyllura. Por kërkesa e tij është hedhur poshtë nga përfaqësuesit e shumicës në komision. Në pjesën e hapur për mediat Visho Ajazi ka bërë publike gjithçka çfarë di për pajisjen e përgjimit.
Visho Ajazi:
“2 muaj më parë morëm informacion që një paisje e teknologjisë së lartë kishte ardhur në Shqipëri, u informuam që ajo pajisje ishte vendosur në Vlorë për trajnim. Është IMC keçer. Janë paisje që njihen nga të gjithë, ajo që ishte problematike ishte fakti që pajisja nuk ishte deklaruar kur kishte hyrë. Për këtë arsye i shqetësuar se një pajisje e tillë mund të përdoret edhe në mënyrë ilegjitime, jo të ligjshme, mora kontakt me Prokurorin e Përgjithshëm dhe i raportova për informacionin që kishim marrë. Mu kërkua nëse kisha informacion më tepër, i thashë do të shikojmë ta grumbullojmë por për momentin kaq kemi.
SHISH kërkonte të informoheshin institucionet e shtetit për një pajisje e cila mund të cënonte sigurinë kombëtare. Lidhur me çfarë është thënë në media, publikisht, ne refuzojmë të shkojmë publikisht se nuk ka logjikë, ne kemi punën tonë. Pas kësaj ka qenë në dorën e Prokurorisë për të shkuar më tej, për të marrë të gjithë informacionet e duhura nga institucioni që besohej se e kishte këtë pajisje. Për asnjë arsye, për asnjë moment ne nuk jemi interesuar të dimë sesi është përdorur kjo pajisje pasi nuk është në tagrin tonë, kalonte në tagrin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë nëse kishte diçka për të thënë dhe këtu mbylljet detyra jonë. Megjithëse u kërkua të merrej më shumë informacion, ne nuk është se refuzuam, por nuk kishim mundësi të mblidhnim më tepër informacion.
I vetmi informacion që kishim ishte se paisja kishte hyrë në Shqipëri, ishte në një ambient trajnimi dhe përdorej, pra siç e dini nga policia italiane bëhej trajnim për policinë shqiptare. Kjo është e gjitha që ne dinim për këtë punë. Nuk kemi asnjë informacion se kush është përgjuar dhe pse është përgjuar. Kam raportuar vetëm tek Prokurori i Përgjithshëm më vonë kam informuar institucionet që më kanë kërkuar”.

Article Logic
Execution time: 0.0036110877990723