INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Krijohet Dhoma Kombëtare e Zejtarisë, Ministrja Ekonomi: Hap i rëndësishëm sepse nxit punësimin

Krijohet Dhoma Kombëtare e Zejtarisë, Ministrja Ekonomi: Hap i rëndësishëm sepse nxit punësimin

Publikuar më: 19:35 31-03-2017

Në bazë të ligjit të ri për Zejtarinë në Republikën e Shqipërisë, Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi, zhvilloi sot një vizitë në Panairin e Punës në Pallatin e Kongreseve, ku mori pjesë në aktivitetin e Dhomës Kombëtare të Zejeve.

Fokusi i Ligjit të Zejeve është nxitja e veprimtarisë së zejeve dhe organizimi i subjekteve zejtare nëpërmjet krijimit të Dhomës Kombëtare të Zejtarisë.

Në fjalën e saj, Ministrja Ekonomi e konsideroi si një hap shumë të rëndësishëm bashkimin e zejtarëve në Dhomën e tyre,  pasi zejet nxisin punësimin.

“Por, që të bëjmë këtë, na duhet që t’i rregullojmë dhe t’i stimulojmë, dhe gjithashtu t’u japim mundësi të gjithëve atyre që janë zejtarë që të kenë aftësi për të trashëguar atë që dinë dhe për t’ua mësuar brezave të rinj me të njëjtën cilësi". Ministrja shpjegoi se për të nxitur zhvillimin e këtij sektori AIDA ka vënë në dispozicion dy fonde : artizanati dhe start-up. Kryesisht, fondet e Artizanatit janë të dedikuara për ato që merren me art, që prodhojnë produkte hand-made dhe i tregtojnë brenda vendit, ose edhe jashtë vendit për eksport. Ndërkohë, duhet të gjejmë disa forma shumë inovative për të promovuar zejtarinë tonë, atë që e kemi traditë dhe jemi përpjekur në gjithë këto vite ta ruajmë”, tha Ministrja Ekonomi.

Aktiviteti u organizua nga Biznes Albania që ka marrë përsipër të promovojë ligjin e ri të zejeve. Në fjalën e tij presidenti i Biznes Albania, Luan Bregasi vlerësoi ligjin e ri të zejeve dhe tha se krijimi i dhomës është nga projektet më të rëndësishme dhe më të bukura për sipërmarrjen private, sepse i ka munguar tregut të punës, strukturës së biznesit, një dhomë e konsoliduar për gjithë sipërmarrësit e vegjël, për zanatçinjtë.

Fjala e Ministres së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes:

Për mua është hera e dytë që vij në këtë funksion te Panairi i Punës, por për ju është hera e katërt që merrni pjesë. Në dy panaire e para  kam qenë thjesht si vizitore, por kam kuptuar që duke u bërë traditë mund të nxitet edhe më shumë pjesëmarrja e të rinjve në procesin e prodhimit apo të sipërmarrjes në Shqipëri, të bëhen pjesë aktive e tregut të punës. Tema për të cilën po flasim lidhet me zejet.

Megjithatë, unë dua të sjell në vëmendje dy fakte shumë interesante për të kuptuar punësimin dhe shkallën e pjesëmarrjes në forcat e punës nga dy sektorë në Shqipëri. Njëri sektor është ai i turizmit. Para pak ditësh, Qendra  Botërore e Udhëtimeve dhe Turizmit WTTC publikoi disa të dhëna, sipas të cilave Shqipëria zë vendin e tretë në botë, ku 24 për qind e fuqisë punëtore aktive është në turizëm, e cila është një shifër relativisht e lartë. Nuk e kam fjalën për rankimin botëror, por dua të them se turizmi po kthehet në një aktivitet që punëson gjithmonë e më shumë, individë nga forcat e punës në Shqipëri, që hyjnë në këtë treg aktiv.

Një sektor tjetër i rëndësishëm është një sektor që ka të bëjë me disponibilitetin e fuqisë punëtore për ato që janë shërbimet e nënkontraktuara. Për këtë gjë në Shqipëri u bë një analizë nga një grup ekspertësh ndërkombëtar, e cila tregoi se ky lloj tregu në Shqipëri ka mundësi për të shtuar kapacitetin e vet të punëzënies me rreth 35 për qind më shumë. Është tregu që ka të bëjë me shërbimet që nënkontraktohen, siç mund të jenë për shembull shërbimet informatike, ato të konsulencës fiskale, kontabël, apo dhe ato që quhen call center-s.

Megjithatë, ka shumë mundësi që, duke u nisur nga ky sektor dhe nga kuota e punësimit në turizëm, të mendojmë që zejet mund të jenë e ardhmja me të cilën duhet të shkojmë përpara për të rritur punësimin. Por, që të bëjmë këtë na duhet që t’i rregullojmë dhe t’i stimulojmë, dhe gjithashtu t’i japim mundësi të gjithë atyre që janë zejtarë që të kenë aftësi për të trashëguar atë që dinë, por edhe për ta mësuar me cilësi.

Ka dhe diçka tjetër që duhet ta mbajmë në konsideratë. Në zonat e thella rurale zejtaria është në një formë primitive akoma, ndërsa në zonat urbane zejtaria ka ardhur e përmirësuar dhe me elementë inovativë. Do të ishte shumë e udhës që bashkëpunimi mes zejtarëve që vijnë nga zonat e thella rurale dhe atyre që vijnë nga zonat urbane, të ishte një bashkëpunim që Dhoma e Zejeve ta nxiste, në mënyrë që edhe njohuria dhe zhvillimi i zejeve në nivel kombëtar të bëhej pak më shumë gjithëformues dhe i unifikuar.

Kështu që, unë besoj se kjo do të jetë një nga gjërat që do të ketë parasysh Dhoma e Zejeve.

Nga ana tjetër, duhet të theksojmë një fakt të rëndësishëm që, shumë nga ndërmarrjet që kanë përgjegjësi sociale mbështesin gjithashtu artizanatin, dhe këto janë padyshim kompanitë e mëdha që janë prezent këtu, dhe është një rast i mirë që panairi i Punës mund të vërë përballë ata që janë përfaqësues të biznesit të madh dhe përfaqësuesve të zejeve, sepse ka shumë mundësi që me përgjegjësinë e tyre sociale të mundohen dhe çojnë më tej këtë shkollë të re të formimit profesional që është zeja.

Është një iniciativë shumë e mirë, sepse ndërkohë Shqipëria, ju e dini që, kontributin më të madh në GDP-në e vendit e japin ndërmarrjet që janë mikro dhe të vogla. Në gjithë gamën e ndërmarrjeve që ne kemi, ndërmarrjet mikro dhe të vogla zënë gati 90-92 për qind dhe japin një kontribut që është rreth 80 për qind në GDP. Pra, imagjinoi se sa mund të kenë nevojë këto ndërmarrje edhe për zejet. Kështu që, edhe për ato do të ishte një gjë shumë e rëndësishme që të kalonte produkti nga një nivel organizimi i sipërmarrjes tek niveli tjetër.

Article Logic
Execution time: 0.0038449764251709