Kreu i PD-së Lulzim Basha ka qenë i ftuar në emisionin Opinion përballë gazetarëve për të folur për situatën aktuale në PD.
Basha ndër të tjera ka folur edhe për intervistën e mbrëmshme të liderit historik Sali Berisha.
Lulzim Basha është shprehur se me intervistën e djeshme të ish-kryeministri Sali Berisha ka dal qartë se kush e drejton realisht Partinë Demokratike.
Basha tha se unë këshillohem me Berishën, po vendimet dhe peshën për vendimet e mbaj unë përsipër.
“Pa dyshim që ai ka një rëndësi të madhe si themelues i Partisë Demokratike. Por në fund jam unë që marr peshën e vendimeve që i takojnë kryetarit të Partisë Demokratike. Të paktën pas ditës së djeshme kjo pyetje ka marrë një përgjigje definitive”- u shpreh Basha.
Kreu i PD, zbuloi gjithashtu se kush e detyroi të firmoste marrëveshjen e 18 Majit.
“Marrëveshja e 18 majit nuk ishte objektivi im politik, bindja ishte për largimin e Edi Ramës”, - kështu u shpreh Lulzim Basha”.
Basha u shpreh se nëse nuk do ta pranonte paketën e amerikane, atëherë SHBA-të do të bashkoheshin me Brukselin për zgjedhje pa opozitën.
“Marrëveshja me Ramën nuk ishte objektivi im politik. Unë doja largimin e Ramës. Mirëpo, ishim në kushte kur elementë të BE-së po bënin thirrje për zgjedhje pa opozitën. Erdhën amerikanët dhe ofruan paketën McAllister +.
Unë isha i bindur se me Ramën nuk kishte zgjedhje të ndershme. Nëse PD dhe aleatët do të refuzonin paketën e fundit, SHBA-të do t’i bashkoheshin BE-së se mund të kishte zgjedhje pa opozitë.
Nëse ne do të vazhdonim me JO-në tonë nuk do të hynim në Parlament për herë të parë në demokraci. Kauzat tona do të izoloheshin dhe Shqipëria do të kthehej në vitin 1990 me një parti-shtet. Në këto kushte vendimmarrja ishte e detyruar”, - tha Basha.