INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kriza politike/ Shqiptarët, të parët që kërkojnë azil në vendet e BE

Kriza politike/ Shqiptarët, të parët që kërkojnë azil në vendet e BE

Publikuar më: 11:03 15-08-2019

Rikthehet dëshira e shqiptarëve për të ikur larg Shqipërisë. Mes krizës politike duket se shqiptarët kanë humbur shpresat për një të ardhme më të mirë në vendin e tyre.

Të dhënat e fundit paraprake të publikuara nga AESO, Zyra Europiane e Mbështetjes së Azilit, dhe të përpunuara nga Monitor, bëjnë të ditur se në 6 muajt e parë të vitit kishte 10,439 kërkesa për azil për herë të parë nga shqiptarët në një nga vendet e Bashkimit Europian. Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kërkesat për azil janë rritur ndjeshëm me 29.3%.

Vetëm në qershor kishte gjithsej nga Shqipëria 1787 aplikime, nga të cilat 1576 ishin për herë të parë dhe 211 ishin aplikime të përsëritura.

Në raport me vendet e tjera të Ballkanit, shqiptarët mbajnë rekord në dëshirën për të ikur. Nga Serbia kishte 352 aplikime në total, nga Maqedonia e Veriut 192, nga Bosnja 122, nga Kosova 273 dhe nga Mali i Zi kishte vetëm 19 aplikime.

Në vitin 2015 u konstatua një rritje e ndjeshme e kërkesave për azil nga shqiptarët, duke arritur në total në rreth 69 mijë, nga 17 mijë vitin e mëparshëm. Më pas numri i tyre erdhi duke u ulur gradualisht, për të arritur në 19 mijë në vitin 2018.
Por, muajt e parë të 2019-s po flasin për një rigjallërim të fortë të emigracionit, në një sinjal që duhet të shërbejë si alarm për politikëbërësit, që ta marrin seriozisht këtë dukuri dhe të kthejnë shpresën për të ardhmen e vendit.

Article Logic
Execution time: 0.003943920135498