Janë mbyllur dhe ndeshjet e fazës së fundit në grupin D, ku Argjentina dhe Kroacia kanë arritur nga një fitore shumë të rendësishme.
Argjentina ka fituar me shumë vuajtje ndaj Nigerisë, duke siguruar kalimin në 16 skuadrat më të mira në Kupën e Botës. Ekipi i drejtuar nga Sampaoli ka triumfuar me rezultatin 2-1në “Rostov Arena”. Argjentina e ka mbyllur në avantazh pjesën e parë ndaj Nigerisë. “Albicelestët” e nisën ndeshjen në sulm, por kishin shumë vështirësi në gjetjen e hapësirave. Në minutën e 14-të, amerikano-latinët shënuan golin e avantazhit, me Lionel Messin. “Pleshti” merr një pasim shumë të bukur nga Banega, e kontrollon mjaft mirë në zonë, dhe me një goditje të kalibruar me të djathtën, mposhti portierin Uzoho.
Nigeria barazoi rezultatin në fillimin e pjesës së dytë. Mascherano shkaktoi penallti në minutën e 48-të, duke mbajtur një nga futbollistët kundërshtarë në zonë, teksa për gjyqtarin Cakir nuk kishte asnjë dyshim. Victor Moses nuk ka gabuar nga pika e bardhë duke mposhtur portierin Armani. Argjentina u hodh e gjitha në sulm në kërkim të golit të barazimit, por nuk arrijnë që të jenë të rrezikshëm në aksionet sulmuese.
Sampaoli hedh në fushë edhe Agueron, 4 minuta nga fundi i kohës së rregullt, Argjentina gjeti golin e avantazhit. Mercado ka krosuar mjaft mirë nga krahu i djathtë në zonë për Rojon, i cili ka goditur në mënyrë spektakolare duke mposhtur portierin Uzoho. Po sot janë mbyllur dhe ndeshjet e fazës së fundit në grupin C, dhe renditja përfundimtare nxori Francën në krye të grupit të ndjekur më pas nga Danimarka.
Ndërkohë Kroacia ka fituar në fund ndaj Islandës me rezultatin 2-1. Ishin kroatët ata që shënuan të parët me anë të Badelj në fillim të pjesës së dytë. Por Sigurdsson barazon rezultatin duke i dhënë shpresë islandezëve nga pika e bardhë e penalltisë. Por në fund të takimit ishte Perisic ai që eliminoi përfundimisht Islandën. Duke i dhënë një ndihmë edhe Argjentinës.
Në ndeshjet e fazës së 1/8 Argjentinës i takon të ndeshet me Francën, në një përballje të frikshme, ndërsa Kroacia do të ketë një short më të lehtë pasi do ndeshet me Danimarkën.