INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kryebashkiaku Veliaj: Do shtojmë linjat e autobusëve, do ndërtojmë 20 shkolla të reja

Kryebashkiaku Veliaj: Do shtojmë linjat e autobusëve, do ndërtojmë 20 shkolla të reja

Publikuar më: 19:04 06-02-2017

Në analizën vjetore të Ndërmarrjes së Punëtorëve të Qytetit Nr.3, kryebashkiaku Veliaj ka bërë me dije masat që Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë për përmirësimin e shërbimit të transportit publik në Tiranë. Dhe ato janë mbulimi i gjithë territorit me linja urbane, shtimi i flotës së autobusëve dhe korsive të dedikuara, si dhe përdorimi i teknologjisë për kontrollin e vazhdueshëm të afateve kohore.

Veliaj theksoi se pavarësisht përmirësimit të ndjeshëm të transportit urban në kryeqytet në vitin e fundit, ka ende shumë për të arritur standardet e kërkuara nga qytetarët.

Veliaj tha se për të mundësuar lëvizjen më të lehtë të prindërve dhe nxënësve në shkolla, kryesisht në orët e pikut të trafikut, Bashkia do të shtojë autobusët në linjat kryesore të transportit urban. “Në linjën e Unazës, nga 1 Shkurti, kemi shtuar 14 autobusë ‘firzamonikë’, duke qenë se ata kanë kapacitet më të madh dhe në orën e pikut, që është ora 7:00 me 8:30, numri i njerëzve që përdorin transportin urban është më i madh. Besoj se shtimi me 14 mjete të rinj është një gjetje e mirë, i cili ka ulur ndjeshëm vonesat, sidomos në linjën e Unazës. Do të vazhdojmë kështu me të gjitha linjat”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Përveç shtimit të flotës së autobusëve, Veliaj tha se do të futen edhe sistemet e monitorimit online të lëvizshmërisë së autobusëve, për të shmangur vonesat e pajustifikuara të mbërritjes në stacion. “Duke filluar nga ky muaj, edhe për çështje të sigurisë së fëmijëve, autobusët e Tiranës do të pajisen me GPS për të kuptuar se ku ndodhen ekzaktësisht në një çast të caktuar. Inspektimet do të vazhdojnë, por në mënyrë moderne secili autobus do të ketë GPS-in e vet që të dimë ekzaktësisht shpejtësinë me të cilën po ecën, vendndodhjen, nëse ka trafik apo nëse një kompani ecën ngadalë për të mbledhur më shumë pasagjerë. Besoj se ky moderninizim e ruan vreshtin më shumë se sa frika se po na vjen kryetari sot në autobus, siç kemi bërë këto ditë”, theksoi kryebashkiaku.

Ai bëri të ditur se për të rritur cilësinë e shërbimit, Bashkia do të vlerësojë operatorët e transportit urban nëpërmjet një sistemi pikëzimi, ku për bazë do të merret shpeshtësia dhe gjobat. “Për të gjithë autobusët do të aplikojmë një sistem pikësh. Ashtu si çdo qytetar e ka patentën e vet me pikë, ashtu edhe çdo linjë autobusësh do ta ketë licencën e vet me pikë. Do të thotë që e fillon vitin me 300 pikë dhe për çdo shkelje, ikën një pjesë e pikëve, derisa e humbet totalisht licencën. Pse? Sepse besojmë që duhet të ketë një kërkesë llogarie”, tha Veliaj.

Që ky sistem i ri të jetë i suksesshëm, ai ftoi qytetarët që të bashkëpunojnë dhe të njoftojnë bashkinë për çdo parregullsi dhe shërbim të munguar në transportin urban. “Ndaj ftesa që u kemi bërë qytetarëve dhe prindërve që përdorin transportin publik, është që në qoftë se autobusi ku ata po hipin, ka një problematikë me shoferin, faturinon, nuk është i pastër ose vonohet, atëherë të telefonojë numrin falas 0800 888. Kjo është e vetmja mënyrë se si duke na dhënë targën e duke na shpjeguar problemin, të kemi mundësi të gjobisim dhe t’i ulim pikët çdo operatori që nuk sillet sipas rregullave dhe sipas kontratës që ka me Bashkinë e Tiranës”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku njoftoi edhe nisjen së shpejti të projektit për ndërtimin e 20 shkollave në Tiranë, çka sipas tij do t’i japë fund problemeve me mbingarkesën në shkolla. “Bashkë me qeverinë shqiptare do të publikojmë projektin e 20 shkollave të reja në Tiranë. Kjo do të thotë se kemi edhe një vit kohë që të menaxhoni dhe të riparoni gjithë shkollat ekzistuese dhe pastaj do t’ju shtohen në inventar edhe rreth 20 shkolla të reja. Por, besoj se është një vendim i guximshëm, por i vetmi vendim që zgjidh në mënyrë afatgjatë çështjen e  shkollave me dy turne”, theksoi kryetari i bashkisë.

Ai theksoi se tashmë janë përcaktuar hapësirat ku do të ndërtohen këto shkolla, ndërsa bëri të ditur se shumica do jenë shkolla të arsimit 9 vjeçar. “Kemi identifikuar 20 hapësira në të gjithë Tiranën. Shumica do të jenë shkolla 9-vjeçare, në raportin 7 me 13. Shkollat e reja do të jenë më të mëdha, duke qenë se kanë më shumë kapacitet, më shumë staf dhe më shumë nevojë për terrene sportive. Brenda pranverës do të fillojmë garën dhe brenda këtij viti do të fillojë ndërtimi i 20 shkollave të reja, çka do të na mundësojë një Tiranë që nuk e ka më problemin e klasave me dy turne”, u shpreh Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se vendimi që vitin e parë t’ia kushtonin fëmijëve ishte vendimi i duhur, pasi në këtë mënyrë po i shërbente të ardhmes së qytetit. “Në vitin tonë më të ngushtë nuk mund të bënim dot gjithçka, por besoj se morëm vendimin e duhur kur u fokusuam te çerdhet, kopshtet e shkollat. Tirana kishte nevojë të bënte këtë diferencë dhe një herë të vetme të mos mendonte për zgjedhjet e ardhshme, por për gjeneratën e ardhshme”, shtoi Veliaj. Ai theksoi se situata e ngrohjes në kopshte dhe çerdhe është përmirësuar ndjeshëm, por jo në nivelet që duhet të jetë. “Di të them që, kur morëm inventarin e shkollave, kopshteve, çerdheve, vetëm 7 kishin një sistem ngrohje, sot kanë 72. Pra, nuk është perfekt, por është të paktën 10-fish”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë ka theksuar se gjithashtu në Tiranë do të vazhdojë projekti i rikonstruksionit të fasadave. “Jo vetëm po mbyllim fasadat që në fakt kishin nevojë për një rinovim nga bashkia e kaluar, por sigurisht kemi filluar me disa fasada të reja. Qyteti ka nevojë edhe për hijeshi, edhe për estetikë”, përfundoi Veliaj.

Article Logic
Execution time: 0.0016558170318604