INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kryebashkiaku Veliaj inspekton “Parkun Olimpik”, punimet janë drejt fundit

Kryebashkiaku Veliaj inspekton “Parkun Olimpik”, punimet janë drejt fundit

Publikuar më: 11:30 27-03-2017

Parku Olimpik i Tiranës pritet t’i hapë dyert në fund të muajit maj. Ish-kompleksi sportiv “Dinamo” është shndërruar në një hapësirë moderne sportive, e cila bën bashkë të gjitha strukturat zinxhir të sportit, federatat, peshëngritjen, mundjen, atletikën, si dhe lojërat me dorë. Punimet për ngritjen e strukturës kanë përfunduar, ndërkohë që duhen edhe pak ditë që qendra moderne olimpike të hapë dyert për sportistët më elitarë të vendit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi punimet e fundit, i shoqëruar edhe nga deputeti i PS, Pandeli Majko. Ai theksoi rëndësinë se krahas përmirësimit të infrastrukturës, qyteti ka nevojë të zhvillojë edhe jetën kulturore dhe sportive. “Ky është një financim i përbashkët i Bashkisë së Tiranës dhe qeverisë shqiptare, i cili do të përfundojë brenda muajit maj. Më në fund, pas 60 vitesh, do të kemi një pallat të ri sporti. Kjo do të mundësojë që edhe në pallatin e sportit “Asllan Rusi” të fillojmë një projekt të ri, që Tirana të ketë të paktën dy pole sportive”, tha Veliaj.

Duke falenderuar kryeministrin Rama dhe Ministren e Arsimit e Sportit, Lindita Nikolla, për revolucionin e kryer në transformimin e këtyre ambienteve, të cilat disa vite më parë ishin krejtësisht të braktisura, Veliaj theksoi se tashmë jeta sportive e qytetit është gjallëruar. “Sot më shumë njerëz merren me sport, kemi qindra fëmijë që janë futur në ekipe sportive, në futboll, basketboll, volejboll, dhe kthimi i Tiranës te sporti meriton edhe një kthim te një infrastrukture cilësore sportive. Jam shumë entuziast që përtej disa kantiereve shumë të rëndësishëm si Pazari i Ri, sheshi “Skënderbej”, stadiumi “Qemal Stafa” dhe “Bulevardi i Ri”, po investojmë edhe në infrastrukturën sportive sepse njerëzit nuk jetojnë vetëm me asfalt e pllaka. Por, njerëzit jetojnë edhe me art, me kulturë, e mbi të gjitha edhe me sport”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës tha se pas hapjes së kompleksit do të zhvillohen një sërë ndeshjesh miqësore mes Shqipërisë, Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit, ndërsa shtoi se ka nisur puna për dizenjimin e pishinës olimpike. Gjithashtu, ai konfirmoi vendimin për të nisur investimin për Kopshtin Zoologjik, i cili do të pësojë një ndryshim rrënjësor, për t’u kthyer në një nga pikat më tërheqëse të kryeqytetit. “Me të mbaruar korsinë e vrapit dhe të biçikletave te Liqeni, do të fillojmë projektin e Kopshtit Zoologjik, i cili është thuajse gati”, tha ai, duke theksuar faktin se Tirana do të vijojë të jetë kantier pune.

“Tirana do të vijojë të jetë një kantier pune dhe mezi presim të fillojmë disa projekte të tjera sepse vetëm puna të çon përpara. Është shumë e rëndësishme që në datën 18 qershor diferenca mes punës dhe gjumit të bëhet më e qartë se kurrë dhe besoj se ata që investohen te puna dhe jo te gjumi do shohin një Tiranë me më shumë kantiere”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Deputeti i PS, Pandeli Majko, e cilësoi Parkun Olimpik të Tiranës si një nga dhuratat më të mira që i bëhet sportit shqiptar. “Fakti që ky Park Olimpik po merr një pamje të kësaj natyre përbën një revolucion më vete. Mendoj se ka ardhur koha që edhe sportistët shqiptarë meritojnë një vëmendje të tillë dhe Bashkia e Tiranës është treguar në nivelin më të mirë të mundshëm, duke investuar pikërisht këtë projekt ëndrrash. Kjo është një sallë që publiku i Tiranës e meriton plotësisht”, tha Majko.

Kompleksi është konceptuar në dy godina gjigante dhe moderne, ku përfshihen të gjitha federatat olimpike, palestrat përkatëse për stërvitje dhe salla e madhe e lojërave me dorë, ku do të organizohen eventet kombëtare të basketbollit dhe volejbollit. Salla e lojërave me dorë ka një kapacitet prej 1200 vendesh dhe në të do të zhvillojnë fazën përgatitore dhe stërvitjen ekipet kombëtare të lojërave me dorë. Kjo është një godinë moderne e konceptuar për të siguruar sa më shumë komoditet për sportistët dhe tifozët.

Article Logic
Execution time: 0.0039889812469482