INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kryebashkiaku Veliaj inspekton punimet për shkollën e re “Betim Muço” në Kombinat

Kryebashkiaku Veliaj inspekton punimet për shkollën e re “Betim Muço” në Kombinat

Publikuar më: 12:37 03-04-2017

Shkolla 9-vjeçare “Betim Muço” në Kombinat do të jetë gati në shtator për të pritur 1200 nxënës, të cilët në sezonin e ri shkollor do të studiojnë me kushte moderne. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, inspektoi sot punimet që po ecin me ritme të shpejta dhe theksoi se projekti për ndërtimin e 20 shkollave në kryeqytet do të zgjidhë përfundimisht mësimin me dy turne.

“Shkolla ‘Betim Muço’ është lajm i mirë jo vetëm për Kombinatin dhe lagjen, por besoj edhe një lajm fantastik për prindërit e 1200 nxënësve që do ta frekuentojnë atë”, tha Veliaj. Ai nënvizoi se në përfundim të punimeve, shkolla do të ketë edhe tre terrene sportive, të cilat do jenë në shërbim të nxënësve dhe komunitetit. “Do jetë një shkollë me të njëjtën cilësi si brenda, ashtu edhe jashtë. Do të jetë shkolla e parë në Tiranë me terrene sportive të bëra nga zero me standarde olimpike dhe besoj se përtej 1200 nxënësve që do të frekuentojnë shkollën, ato do të jenë një aset dhe pasuri për të gjithë komunitetin këtu”, tha ai.

Krahas përmirësimit të infrastrukturës, kreu i Bashkisë deklaroi se në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Arsimit e Sportit, në shkollat e reja do të japin mësim mësuesit më të mirë. “Dua të falenderoj Ministrinë e Arsimit dhe Drejtorinë e Arsimit të rrethit të Tiranës sepse kemi rënë dakord që në shkollat e reja të sjellim mësuesit më të mirë. Nuk mjafton të sjellim vetëm cilësi infrastrukture, terrene sportive, klasa dhe laboratorë të mirë, por edhe mësuesit më të mirë të Tiranës. Ndaj në 1 shtator, kur të hapet kjo shkollë, do të ketë edhe mësuesit më të mirë të Tiranës”, tha Veliaj, duke shtuar se përveç mësimdhënies me standarde, do të ketë edhe disa klasa parashkollore.

Gjithashtu, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se Kombinati do të kthehet në një nga poliqendrat e kryeqytetit, duke bërë të ditur se shumë shpejt do të nisë puna edhe për transformimin e tregut të kësaj zone sikurse Pazari i Ri. “Kemi marrë disa vendime të tjera, për ta kthyer Kombinatin në një zonë të poliqendrave të Tiranës. Së pari, shkolla dhe së dyti, tregu këtu pranë. Në Kombinat, shumë prej atyre që ushtrojnë aktivitetin tregtar e bëjnë këtë në kushte johigjienike, buzë rrugës, nëpër cepa pallatesh. Kjo nuk është normale. Do të bëjmë të njëjtin transformim, siç bëmë me “Pazarin e Ri”, edhe në Kombinat, me një treg modern”, nënvizoi Veliaj.

Ai theksoi se për të ruajtur ritmin e zhvillimit, është shumë e rëndësishme që fokusi të jetë te puna dhe te konsensusi. “Kemi kuptuar se ka më shumë gjëra që na bashkojnë se sa na ndajnë. Ndaj, është shumë e rëndësishme që të ruajmë këtë ritëm të zhvillimit të Tiranës, të zhvillimit të Shqipërisë, vetëm duke u fokusuar te gjërat që na bashkojnë, duke qenë konstruktivë, duke ofruar konsensus, për të kuptuar se Shqipëria është përtej çdo diference tjetër. Mund t’i ofrojmë vendit një qeverisje të qëndrueshme si në Shqipëri, ashtu edhe në qytetin Tiranës, ku besoj se kemi vënë një standard në mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike”, tha Veliaj.

Shkolla 9-vjeçare ‘Betim Muço’ do të ketë 27 klasa dhe 6 laboratorë, dhe do mbulojë nevojat e 1200 nxënësve. Shkolla do të ketë gjithashtu një palestër, por edhe 3 terrene sportive të jashtme, të cilat përveç shkollës do t’i shërbejnë gjithë zonës së Kombinatit.

Article Logic
Execution time: 0.0036418437957764