INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kryemadhi befason me deklaratën e saj: Meta po aq përgjegjës sa Rama për trafikun e drogës

Kryemadhi befason me deklaratën e saj: Meta po aq përgjegjës sa Rama për trafikun e drogës

Publikuar më: 21:12 18-10-2017

Monika Kryemadhi e ndan në mënyrë të barabartë përgjegjësinë mes Edi Ramës dhe Ilir Metës sa i takon trafikut të lëndëve narkotike.

Duke folur në “Top Story”, kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, thotë se, heshtja e Ilir Metës gjatë bashkëqeverisjes me Edi Ramën e bën atë po aq përgjegjës sa Kryeministri.

“Ilir Meta ka përgjegjësinë e tij dhe në momentin që sheh që gjërat nuk janë ashtu siç duhet…ai që në momentin që ka vënë re çështjen e drogës duhej të kishte reaguar. Ai është po aq fajtor sa Edi Rama, sepse ka mbyllur sytë, ka mbyllur edhe gojën”,- u shpreh ajo.

Heshtjen e Metës, Monika Kryemadhi e lidhi me nevojën që politika të kalonte reformën në drejtësi.

“Ai tërhiqte gjithmonë vëmendjen tek reforma në drejtësi”,- u shpreh kryetarja e LSI-së.

“Edi Rama gaboi. Tha sot se Saimir Tahiri është një dru i shtrembër në stivën e druve. Nuk është e vërtetë. Saimir Tahiri ka qenë bashkëpunëtori më i ngushtë i tij. Edi Rama nuk duhet të flakte Saimir Tahirin sepse e ka mbrojtur si ministrin më të suksesshëm”,- vijoi Kryemadhi.

Sipas kryetares së LSI-së të gjitha këto minojnë procesin e vettingut. “Çfarë besimi kam unë tek Edi Rama për vettingun sot?”,- thotë ajo.

Kryemadhi deklaroi se, përfaqësuesit ndërkombëtarë në Shqipëri kanë patur dijeni për kultivimin e kanabisit.

“Sigurisht që kishin. Në momentin që u prekën vendet e tyre, nisën të flasin. Ndërkombëtarët e kanë ditur që ne prodhojmë kanabis. I kanë përgjimet që në 2013. Në momentin që u rrezikojmë sigurinë kombëtare të sigurisë së tyre, ata nuk falin”,- deklaroi ajo.

Sa i takon tryeza e organizuar ditën e mërkurë nga partitë opozitare, Kryemadhi thotë se është takimi i parë dhe se ka nevojë për takime të tjera për të rakorduar qëndrimet, shkruan TCH.

Megjithatë, Kryemadhi përjashtoi, të paktën për momentin protestat e opozitës si një mjet për të kërkuar largimin e Edi Ramës.

“Në radhë të parë ne kemi foltoren e Parlamentit. Numrat nuk i kemi, por mos harroni që opozita nuk është çështje numrash, është çështje morali. Ky është front kundër krimit, sepse ne kemi qëndrime të ndryshme politike, por sot emergjente është çështja e krimit. Do të rakordohemi me partnerët ndërkombëtarë, sepse ata kanë nevojë për partnerë seriozë dhe të qartë në politikë”,- deklaroi ajo.

Sipas Kryemadhit, të gjitha partitë opozitare, pavarësisht ndasive sa u takon programit dhe qëndrimeve për çështje të ndryshme, bien dakord se “situata në Shqipëri është shumë e rëndë”.

“Ky ishte takimi i parë për të krijuar axhendë dhe do të bëhet një matricë e aktiviteteve dhe takimeve. Qëllimi është të krijohet një strategji”, thotë Kryemadhi, duke shtuar se “moralisht Kryeministri ka rënë”. 

Article Logic
Execution time: 0.0033800601959229