INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kryeministri Rama letër publike krerëve të opozitës: Ju ftoj të ulemi…[FOTO]

Kryeministri Rama letër publike krerëve të opozitës: Ju ftoj të ulemi…[FOTO]

Publikuar më: 14:27 18-09-2019

Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një letër të hapur dhe publike të gjithë krerëve të partive politike të opozitës të cilat kanë djegur prej muajsh tashmë mandatetet e tyre të deputetëve.

Rama u ka bërë thirrje Bashës, Kryemadhit, Nard Ndokës, Agron Dukës, Dules si dhe Dashamir Shehit e Fatmir Mediut, që të bëhen bashkë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për reformën zgjedhore.

Kryeministri shprehet se në planin politik ndasitë mes tyre janë të mëdha dhe se pavarësisht faktit se opozita e ka braksitur jetën parlamentare me djegien e mandateve, kjo nuk e përjashton nga nevoja për të qenë një ndër aktorët kryesorë në reformën zgjedhore.

Kësisoj Rama i shkruan aktorëve kryesorë të opozitës, që të ulen në tavolinën e bisedimeve për reformën zgjedhore, pa kushte.

LETRA E RAMES

FTESE PUBLIKE DREJTUESVE TE OPOZITES JOPARLAMENTARE Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Agron Duka, Dashamir Shehi, Fatmir Mediu

Të nderuar zotërinj, e nderuar zonjë,

Ju drejtohem publikisht në përpjekjen për të krijuar një hapësirë dialogu e ndërveprimi mes nesh, lidhur me një sfidë të përbashkët të një rëndësie kombëtare, Reformën Zgjedhore.

Kundërshtitë tona në aspektin politik janë botërisht të njohura dhe pozicionet respektive, në raport me hapësirën institucionale të vendit po ashtu.

Sidoqoftë, përtej skajshmërisë së dallimeve tona, ne as nuk e kemi zgjedhur njëri-tjetrin dhe as nuk e zhbëjmë dot ekzistencën e njëri-tjetrit. Pra jemi të dënuar të bashkëjetojmë pavarësisht jopëlqyeshmërisë reciproke, për sa kohë të tjerët, zgjedhësit, na kanë dhënë mandate përfaqësimi, disave për të qeverisur e disave për të bërë opozitë.

Ju vendosët t’i digjni mandatet e hyrjes në Kuvend dhe të vetëpërjashtoheni nga jeta parlamentare e kësaj legjislature. Por gjithësesi, deri në zgjedhjet e qershorit 2021, ju jeni të votuar për të përfaqësuar një pjesë jo të vogël të zgjedhësve shqiptarë. Prandaj e dhe Kuvendi ka rezervuar një vend të posaçëm për ju, në Komisionin e Reformës Zgjedhore.

Procesi ka nisur në Kuvend me opozitën parlamentare dhe do të mbyllet në Kuvend natyrisht, por mungesa juaj ne institucionin më të lartë vendimmarrës të republikës, nuk ju përjashton vetvetiu nga hapësira e diskutimit për Reformën Zgjedhore. Përkundrazi. Të paktën ky është opinioni im dhe duke vënë re edhe mungesën tuaj në vetë tryezën e Komisionit Zgjedhor, ju ftoj të takohemi e të bashkëbisedojmë për këtë sfidë të përbashkët, në çdo kohë e vend që do t’ju vinte për shtat – sigurisht në rast se ju jeni të interesuar të përfshiheni në këtë proces. Pa kushte.

Ju faleminderit

EDI RAMA

Tiranë, 18 shtator 2019.

Article Logic
Execution time: 0.003896951675415