Burime nga Kryeministria konfirmojnë se ka pasur një bisedë të shkurtër mes Presidentit amerikan, Donald Trump, dhe kryeministrit Edi Rama, gjatë punimeve me dyer të mbyllura të Samitit të NATO-s në Bruksel.
Mësohet se biseda është përqëndruar në aleancën strategjike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, Reformës në Drejtësi dhe luftës së përbashkët kundër ekstremizmit të dhunshëm.
Këtë takim e konfirmon edhe kongresmeni republikan i Floridës, Matt Gaetz, me anë të një letre. Ai thotë se është i lumtur për takimin mes tyre. Kongresmeni ishte në delegacionin e para një muaji që vizitoi Tiranën, e thotë se përgëzon kryeministrin për reformat.
“Jam i lumtur për takimin mes Presidentit Trump dhe Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. SHBA-të kanë gjetur një aleat të fortë tek Shqipëria në luftën kundër ISIS. Pas vizitës në Shqipëri muajin e kaluar, dua të përgëzoj kryeministrin Rama për reformat që qeveria e tij ka ndërmarrë. Reforma në drejtësi, mbetet një nga arritjet kyçe të qeverisë Rama, sepse ndihmon popullin shqiptar dhe të gjithë rajonin. Kryeministri Rama ka treguar një lidership të madh në zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri dhe drejtimin e vendit më afër Bashkimit Europian”, shkruhet në letrën e kongresmenit amerikan.