Lulzim Basha pasditen e kësaj të shtune mblodhi në selinë qendrore të Partisë Demokratike kryetarët në rrethe të kësaj force.
Në takim është diskutuar për protestën e ditës së hënë, protesta të cilat mund të vijojnë edhe pas ditës së hënë.
PD ka paralajmëruar një tubim në orën 09:30 minuta para sallës së seancave plenare të Kuvendit për të kundërshtuar zgjedhjen e kryeprokurorit të përgjithshëm të përkohshëm.
Edhe LSI është kundër zgjedhjes së kryeprokurorit dhe të dielën do të mbledhë Komitetin Drejtues Kombëtar për organizimin e protestës para Parlamentit. Paraprakisht, Monika Kryemadhi e cilësoi të hënën si ditën më të errët të demokracisë shqiptare.
Pasi Kuvendi vendosi të konstatojë me 7 dhjetor përfundimin e mandatit të Adriatik Llallës, opozita e bojkotoi procedurën e zgjedhjes së kryeprokuorit të përkohshëm. PD dhe LSI mbështeten tek Kushtetuta, e cila përcakton Këshillin e Lartë të Prokuorisë, si të vetmin organ që mund të konstatojë fundin e mandatit dhe prej të cilit vijnë dhe propozimet për kryeprokuorin e ri.