INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ku do na çojë borxhi i frikshëm i kompanive të energjisë…

Ku do na çojë borxhi i frikshëm i kompanive të energjisë…

Publikuar më: 10:19 23-06-2016

KESH, OSHEE dhe OST kanë në bilancet e tyre një borxh gjigand prej 96 miliardë lekësh.
Sektori i energjisë elektrike mund të kthehet në flluskën e rradhës financiare, me kreditë afatshkurta e afatgjata, që arrijnë në gati 7% të prodhimit të brendshëm bruto dhe aftësinë paguese që është tepër e varur nga performanca e kompanisë KESH dhe tekat e motit. BIRN zbardh për herë të parë detyrimet që tre sipërmarrjet e energjisë, KESH, OSHEE dhe OST kanë ndaj bankave vendase dhe institucioneve ndërkombëtare.
Bilancet e kompanive si dhe të dhënat financiare të marra nga BIRN përmes kërkesave për të drejtë informimi te KESH, OSHEE dhe Ministria e Financave, tregojnë se borxhet e sektorit kanë ardhur në rritje të vazhdueshme përgjatë viteve, duke i bërë kompanitë energjetike publike të kenë efektivisht më shumë detyrime se sa asete.
Kreditë e stërmëdha janë tërhequr përgjatë viteve, pjesërisht për të kryer investime të cilat në masë rezultojnë joekonomike dhe pjesërisht për të përballuar situatat e krizave të përsëritura energjetike.
Sot sistemi gjendet në një situatë ku mbi 690 milionë euro borxhe presin të shlyen ndërkohë që Ministria e Financave, e cila ka garantuar pjesën më të madhe të kredive, thotë se në gjykimin e saj, rreziku i moskthimit të kredive është i lartë dhe probabiliteti që qeverisë do t’i duhet të shlyejë kreditë për këto kompani është gjithashtu i lartë.
Sipas ekspertëve, edhe për kreditë e pagarantuara, barra sërish mund të bjerë mbi qeverinë dhe taksapaguesit.
Aktualisht KESH, që mbart direkt dhe indirekt gati 90% të barrës së kredive, konsiderohet si një kompani që ka shumë pak shpresa se do të jetë në gjendje të shlyejë borxhet që ka marrë përgjatë viteve ndërsa OSHEE, megjithëse ka pasur përmirësime të ndjeshme në të ardhura dhe fitime gjatë viteve të fundit, ka detyrime të prapambetura të stërmëdha dhe nuk pritet që edhe për disa vite të mund të shlyejë gjë.
Në një prononcim pas kërkesës për të drejtë informimi nga BIRN, Ministria e Financave pranoi se “Risku i moskthimit të kredisë vlerësohet i lartë për KESH për shkak të përkeqësimit të performancës financiare të kompanisë dhe shitjes nën kosto të energjisë”.
Por mungesa e mundësisë së kompanive për shlyerjen e kredive është vetëm një pjesë e problemit. Problemi tjetër është se shumica dërrmuese e kredive janë marrë për të mbuluar humbje të papritura apo për të kryer investime që rezultojnë pa leverdi, gjë që do të thotë se kostoja e interesave të këtyre kredive po gërryen vlerën e aseteve që kompanitë kishin para se t’i merrnin këto kredi.

Article Logic
Execution time: 0.0037519931793213