Kualifikueset Rusi 2018 u rikthye sërish ku “Tulipanët” humbën 1-0 në shtëpi ndaj Francës duke komplikuar rrugëtimin e tyre drejt fazës finale pasi distancohen me ekipet kryesuese. 90 minutëshi në “Amsterdam Arena” u vendos nga goli i Paul Pogba. Paul Pogba shënon duke finalizuar në rrjetën e portokallinjve një goditje të bukur nga distanca. Me këtë humbje Hollanda spostohet e treta në grupin ku vetëm një ekip kualifikohet direkt.
Portugalia kampione e Europës nuk pati probleme me transfertën në Ishujt Faroe pasi vendasit u dorëzuan pa kushte në një ndeshje e cila u mbyll 0-6. E hëna rezervoi një gol shqiptar në stadiumin e Andorrës, aty ku Zvicra fitoi 1-2 ndaj vendasve. Penalltia e Fabian Sher i dha avantazhin helvetikëve që më pas siguruan triumfin me golin e mesfushorit nga Gostivari, Admir Mehmedi. Për t’u shënuar në përballjet kualifikuese paraqitja e Belgjikës me fitoren 6-0 ndaj modestëve të Gjibraltarit. Në këtë ndeshje u vendos edhe një rekord shënimi me golin e Bentekes pas vetëm 6 sekondash lojë, një nga 3 të tillë që shënoi sulmuesi me ngjyrë.