INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
“Kufiri i Konfliktit”, Analiza e Rexhep Qosjes: Jam kundër demarkacionit

“Kufiri i Konfliktit”, Analiza e Rexhep Qosjes: Jam kundër demarkacionit

Publikuar më: 13:10 29-08-2016

Opozita në Kosovë ka marrë mbështetjen e një prej zërave më të rëndësishëm të letrave shqipe, lidhur me çështjen e dermakacionit. Akademiku i njohur Rexhep Qosja nëpërmjet analizë të thelluar në rrjetin social facebook, thotë se marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi nuk duhet të miratohet nga Kuvendi i Kosovës. Qosja thekson se marrëveshja është në kundërshtim me kufirin natyror dhe se ajo kundërshtohet fort nga banorët e Rugovës.
Ai deklaron se kufiri i “ricaktuar”, është kufi jo natyror dhe se i është vënë në brendi gjeografike të Kosovës dhe se cënon kushtet jetësore të popullsisë shqiptare si popullsi e vetme e Rugovës.
Shkrimi i plotë në facebook.
"KUFIRI I KONFLIKTIT
Ka kaluar një vit prej se Vija kufitare me Malin e Zi është bërë çështje politike dhe kombëtare për të cilën diskutohet në institucionet shtetërore, në partitë e Pozitës e të Opozitës, në organizatat joqeveritare, në takime e në tubime të qytetarëve dhe, sidomos, në mediet elektronike dhe ato të shtypit.
Ka kaluar një vit prej se ata që e kanë pranuar të ashtuquajturën Marrëveshje për Demarkacionin me Malin e Zi dhe bashkëmendimtarët e tyre mbledhin të dhëna, të shkruara e të trilluara, me të cilat duan të dëshmojnë se rreth 12 mijë, rreth 10 mijë, rreth 9 mijë, rreth 8 mijë e së fundi po thonë rreth 6 mijë hektarë tokë, në anën natyrore kosovare, i takojnë Malit të Zi, dhe i takojnë sepse, thonë ata, ishin, janë dhe duhet të jenë të asaj Republike!
Ka kaluar një vit prej se ata që janë kundër kësaj Marrëveshjeje, e quajtur Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi, mbledhin të dhëna, të shkruara, të mbajtura mend, të shënuara në krijimtarinë popullore, të shënuara prej një vargu historianësh tanë, me të cilat dëshmojnë se ata hektarë tokë, sado as këta ende nuk e dinë saktë se sa, nuk ishin, nuk janë dhe nuk duhet të jenë të asaj Republike.
Por, as ata që e kanë pranuar këtë Marrëveshje me bashkëmendimtarët e tyre e as këta që e kundërshtojnë këtë Marrëveshje nuk janë marrë, në asnjë rast, në asnjë mbledhje të Komisionit për Demarkacionin e në asnjë mbledhje të Kuvendit të Kosovës me një të dhënë tjetër: nuk janë marrë me të dhënën se populli shqiptar, me Ushtrinë e tij të quajtur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, prej vitit 1997 e deri në vitin 1999 ka bërë luftë çlirimtare kundër pushtimit të Kosovës prej Jugosllavisë së mbetur, që nga viti 1992 deri në vitin 2003 e quajtur Republika Federale e Jugosllavisë, e përbërë prej Serbisë dhe Malit të Zi, kurse që nga viti 2003 e deri në vitin 2006 e quajtur Unioni Serbi – Mali i Zi.
Me këtë të dhënë tashmë historike është e kuptueshme pse nuk janë marrë dhe nuk merren pushtetarët dhe bashkëmendimtarët e tyre: nuk janë marrë dhe nuk merren ata që në Kosovë deshën s’deshën tani për tani po kryejnë detyrën që dikur e diku e kryente pseudoelita koloniale.
Por, me këtë të dhënë nuk janë marrë dhe nuk merren as në mbledhjet me Komisionin e Qeverisë për Demarkacionin me Malin e Zi, as në mbledhjet e Kuvendit as kundërshtarët e kësaj Marrëveshjeje, as bashkëmendimtarët e tyre, e as intelektualët e pavarur – ata që për këtë çështje po kryenin e kryejnë detyrën e klasës politike kombëtare dhe të inteligjencies kombëtare.
Pse do të duhej të merreshin e të merren me të?
Në luftërat ballkanike në vitin 1912 Serbia dhe Mali i Zi kanë pushtuar shumë toka shqiptare, në të cilat shqiptarët ishin ku popullsi e vetme e ku shumicë etnike. E në tokat shqiptare që në atë kohë do t’i pushtojë Mali i Zi do të përfshihet edhe një sipërfaqe mjaft e madhe e Kosovës, përfshirë këtu, natyrisht, edhe gjithë Rugovën!
Mali i Zi do të marrë pjesë edhe në kolonizimin e Kosovës midis dy luftërave botërore, por në këtë kohë pa identitetin shtetëror të cilin me dëshirën e një pjese të popullsisë ia kishte dhuruar Mbretërisë së Jugosllavisë. Numri i malazezve të sjellë si kolonë në Kosovë në atë kohë nuk ishte shumë më i vogël se ai i serbëve.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e përkrahur prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës – plotësisht dhe prej Bashkimit Evropian – pjesërisht, do ta çlirojë Kosovën në fillim të qershorit të vitit 1999 dhe do ta çlirojë prej dy pushtuesve të saj: prej Serbisë dhe prej Malit të Zi.
Si është e mundshme që tani, në vitin 2016, Malit të Zi t’i dhurohen pjesë të Kosovës të çliruara prej pushtimit të tij siç ishin çliruar pjesët e tjera të Kosovës prej pushtimit të Serbisë në sajë të luftës së UÇK-së?!
Si është e mundshme që tani, në vitin 2016, t’i dhurohen Malit të Zi ato sipërfaqe, që shtrihen në anën kosovare të vijës natyrore Kullë, Çakorr, Qafë e Diellit deri te kufiri me Shqipërinë, në të cilat nuk kanë jetuar as malazez, as serbë as farë etnie tjetër para as pas ardhjes së rugovasve, kelmendasve, në to?!
Po, është e mundshme: një të mundshme të tillë po e bëjnë ata që thonë, shikoni e dëgjoni ç’thonë, që thonë se me Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, domethënë me dhënien Malit të Zi të tokave etnike dhe historike shqiptare, sigurohen:
E para, sigurohet konsolidimi i shtetit, thuajse shteti mund të konsolidohet duke tjetërsuar pjesë të tij tokësore!
E dyta, sigurohet partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian, thuajse ky partneritet duhet të sigurohet duke tjetërsuar sipërfaqe historike dhe etnike shqiptare?
E treta, sigurohet liberalizimi i vizave edhe për kosovarët, thuajse vizat e liberalizuara të shqiptarëve duhet të sigurohen duke tjetërsuar pjesë tokësore, thuajse udhëtimi i shqiptarëve të Kosovës pa viza në zonën Shengen duhet të blihet me tokë të Kosovës!
E katërta, sigurohet dëshmia se “në asnjë rast deputetët dhe qytetarët tanë nuk kanë vepruar kundër SHBA-së”, thuajse po nuk e votuan atë Marrëveshje për Demarkacionin me Malin e Zi deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe shqiptarët e Kosovës do të bëjnë veprim kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës!
Nuk ka dyshim se me këtë gjuhë fyeshëm poltronizuese ndaj SHBA-së, ndaj shtetit më të fuqishëm botëror, të cilit nuk i nevojitet kurrfarë poltronizmi as prej ndonjë personi politik, as prej ndonjë partie, as prej ndonjë populli a ndonjë shteti, në njërën anë, dhe shantazhuese ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në anën tjetër, mund të flasin vetëm ata njerëz të politikës, të cilët me frazeologjinë e tyre për integrimet euroatlantike, që i dëshirojnë gjithë shqiptarët, në të vërtetë po e mbulojnë “suksesshëm” despotizmin e tyre oriental në Kosovën e pushtuar prej korrupsionit dhe nepotizmit të tyre!
Është e çuditshme pse ata që e kanë pranuar Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, me të cilën e kanë keqësuar shumë, shumë gjendjen politike në Kosovë, dhe ata që po bëjnë përpjekje për ratifikimin e saj në Kuvendin e Kosovës, nuk po mendojnë, se, si me këtë Marrëveshje ashtu edhe me të dhënat e shkruara e të trilluara kadastrale për të arsyetuar atë dhe miratimin e saj në Kuvendin e Kosovës, pse ata, pra, nuk po mendojnë se kështu, me këtë Marrëveshje e me ato të dhëna, deshën s’deshën, jo vetëm se po i japin “të drejtë” Serbisë që të kërkojë t’i jepet edhe asaj çka po i jepet Malit të Zi – që t’i jepet toka e Kosovës, jo vetëm se po e cenojnë rëndë sigurinë e shtetit të Kosovës, por, në perspektivën historike, po fusin rrezik të madh në marrëdhëniet shtetërore midis Kosovës e Malit të Zi, në të vërtetë midis Kosovës e Shqipërisë (Shqipërisë së Bashkuar), në njërën anë, dhe Malit të Zi e Serbisë, në anën tjetër.
Për këtë arsye kufiri i ricaktuar me Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi edhe mund të quhet kufi i konfliktit. Dhe mund të quhet kështu pikërisht sepse është kufi jonatyror, sepse është kufi i vënë në brendinë gjeografike natyrore të Kosovës, nën vijën bjeshkore Kullë – Çakorr – Qafë e Diellit – Kufi i Shqipërisë, sepse është kufi që cenon kushtet jetësore të popullsisë shqiptare si popullsi e vetme e Rugovës!
Ata që kanë menduar për paqe e jo për konflikte midis popujve dhe shteteve, është thënë edhe para meje prej ndonjërit nga ata që nuk pajtohen me Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, ata gjithmonë janë kujdesur që kufijtë midis tyre të jenë kufij gjeografikë natyrorë, kufij të majave të bjeshkëve, kufij të lumenjve, kufij të luginave. E Marrëveshja për Demarkacion me Malin e Zi e mohoi këtë përvojë shumëshekullore të zbatuar në Evropë e më gjerë, këtë përvojë shumë të çmuar që është shkelur zakonisht vetëm prej shteteve pushtuese dhe prej shërbëtorëve të tyre nga radhët e të pushtuarve.
Mund të thuhet, më tej, se me këtë Marrëveshje Kosovës, përpos pasigurisë, do t’i sillen dëme të mëdha edhe ekonomike: do t’i tjetërsohen pyje me rëndësi të jashtëzakonshme, e para, për shkak të bimësisë, në këtë kohë të rrezikimit të bimësisë në përpjesëtime botërore, shumë të çmuar dhe, e dyta, për shkak të pyjeve të shumta me vlerë të madhe për industrinë e drurit.
Mund të thuhet kështu sepse me këtë Marrëveshje do t’i tjetërsohen Kosovës kushte shumë të rëndësishme për blegtorinë.
Mund të thuhet kështu sepse me këtë Marrëveshje, me Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi, do t’i tjetërsohen Kosovës vise me vlera të mëdha turistike, çfarë janë të rralla jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë në përgjithësi.
Të shpresojmë, ndërkaq, se zyrtarët, që janë pajtuar me këtë Marrëveshje, që janë autorët e saj, do të mendojnë për të gjitha këto pasoja që ua sjell ajo shtetit të Kosovës dhe popullit shqiptar në përgjithësi, që ua sjell ajo ekonomisë së Kosovës, sigurisë së Kosovës dhe sigurisë së marrëdhënieve mes Kosovës e Malit të Zi, dhe do të heqin dorë prej presionit ndaj deputetëve dhe kërcënimeve ndaj Opozitës, sidomos, ndaj Vetëvendosjes.
Për fat, Mali i Zi, si shtet tashmë, i shkëputur pothuaj në të gjitha pikëpamjet prej tutorizmit të njohur të Serbisë, nuk është më ai Mali i Zi i dikurshëm, ashtu sikundër as Kosova nuk është më ajo Kosova e dikurshme. Mali i Zi është sot shtet me demokraci gjithnjë e më të zhvilluar. Mali i Zi është sot shtet me orientim të dëshmuar euroatlantik. Mali i Zi është sot shtet me rol të çmuar në rajon. Mund të shpresojmë, prandaj, se ky Mal i Zi, se udhëheqja politike e shtetërore e këtij Mali të Zi do të mendojë se nuk ka të drejtë as historike, as etnike, as kurrfarë të drejte tjetër, të kërkojë që të bëhen të tij pjesë natyrore, gjeografike, historike dhe etnike të shqiptarëve, në të cilat, e dinë mirë, se kurrë nuk kanë jetuar as malazez e as serbë.
Mund të shpresojmë, prandaj, se ky Mali i Zi, se udhëheqja politike e shtetërore e këtij Mali të Zi, do të mendojë, më në fund, për pasojat e sotme dhe për pasojat historike, sidomos historike, që ajo Marrëveshje, fort në kundërshtim me vullnetin e popullsisë së Rugovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, do t’i sjellë sigurisë së Malit të Zi dhe sigurisë së Kosovës, që do t’u sjellë marrëdhënieve midis dy popujve.
Për të gjitha arsyet e sipërthëna kjo Marrëveshje për Demarkacionin me Malin e Zi nuk do të duhej të paraqitej në mbledhje të Kuvendit të Kosovës.
E në qoftë se, megjithatë, zyrtarët që janë pajtuar me të, e paraqesin, deputetët e Kuvendit nuk do të duhej ta votojnë atë Marrëveshje.
Për të gjitha arsyet e sipërthëna është obligim i tyre politik, historik, atdhetar, etik, që t’i thonë Jo kësaj Marrëveshjeje!
Ata, të cilëve u është dhuruar besimi i popullit për ta përfaqësuar, nuk duhet të lejojnë, nën kurrfarë kushtesh e trysnish, që emrave të tyre t’u ngjitet turpi i Ahmet Zogollit, i cili pushtetin e tij do ta blejë edhe duke dhënë toka të popullit të vet.

Article Logic
Execution time: 0.0018210411071777