Rruga e kombit ka trafikun më të rënduar gjatë sezonit turistik. E në kulmin e këtij sezonit, Policia e Shtetit ka vendosur që të kontrollojë me radar një nga segmentet më të rëndësishme të kësaj rruge, atë të tunelit të Kalimashit.
Nëpërmjet një njoftimi të shpërndarë për mediat policia thotë se gjatë 24 orëve të fundit, policia ka vendosur rreth 2.124 masa administrative ndaj drejtuesve të automjeteve.
Policia e Shtetit sqaron se gjatë patrullimit me radar në tunelin e Kalimashit, u është pezulluar leja 71 drejtuesve mjetesh për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara.
Duke përdorur Dragerat dhe Radarin, nga shërbimet e Policisë Rrugore janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh, nga këta 3 të pa pajisur me Leje Drejtimi dhe 2 drejtues mjetesh në gjendje të dehur.
Njoftimi i policisë:
“Janë pezulluar gjithsej 92 Leje Drejtimi, nga këto: 2 për pije alkoolike, 81 për shpejtësi (ku 71 vetëm në tunelin e Kalimashit), si dhe 9 për shkelje semafori e shkelje të tjera të ndryshme. Janë vendosur 478 masa administrative për mos vendosje rrip sigurimi, 96 masa për mos vendosje të kaskës mbrojtëse, si dhe 281 masa për përdorim celulari, masat e tjera janë për shpejtësi, parakalim të gabuar, etj. Si dhe janë dërguar në OASH, 96 drejtues mjetesh”.