Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor kanë finalizuar operacionin “Bileta e Falsifikuar”.
Sipas njoftimit të bërë nga policia janë sekuestruar 150.000 bileta të falsifikuara dhe janë vënë në pranga 8 persona disa prej të cilëve administrator në shoqëritë e transportit dhe disa dispeçer të linjave të urbanit.
Arrestimi i tyre u bë pasi dyshohet se duke bashkëpunuar me njëri -tjetrin kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në transportin urban në qarkun Tiranë.
Ata përdornin bileta urbani të falsifikuara dhe jo të prodhura në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë, të cilat i kishin hedhur në qarkullim duke përfituar shuma të konsiderueshme monetare, duke i shkaktuar shtetit dëm të madh ekonomik.