Jemi mësuar ta shohim në shumë role, si model në pasarela, si lajmëtari i Maria de Filippit në C`e posta per te apo në gara kërcimi. Por sot ai ka nisur një tjetër rrugë. Oni Pustina modeli i njohur shqiptar, ka trokitur sot me bicikleten e tij në derën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Me ftesë të kryetarit të ri Petrit Vasili, Pustina është anëtarësuar sot në radhët e Lsi. Vasili njihet për mënyrat e tij origjinale në drejtimin e instiucioneve që i besohen, por këtë herë në krye të LSI, Vasili ka zgjedhur të afrojë në parti personat që deri më tani i kanë ndenjur larg politikës. Pustina do të pasohet së shpejti me të tjerë emra, jo pak të njohur për publikun. Por ai ishte i pari i listës, dhe jo rastësisht. Italia është pika e tyre e lidhjes. Oni Pustina ka jetuar dhe ka bërë karrierë në shtetin fqinj, ndërsa Vasili ka studiuar për mjekësi atje dhe në fund të viteve `90, kur të tjerët iknin nga Shqipëria ai u kthye. Mund t`ju duket e çuditshme që emri i Petrit Vasilit të lidhet me ndonjë fjalë tjetër përveç mjekut dhe politikanit, por po ju rrëfejmë një sekret të vogël; Pasioni i Vasilit ashtu si edhe i prindërve të tij është letërsia.