Kukësi ka bërë detyrën ndeshjen e sotme ndaj Korabit, duke fituar me përmbysje 3-1 në sfidën e luajtur sot në "Elbasan Arena". Skuadra e Ernest Gjokës priste një fitore të lehtë, por në fakt gjërat nuk është se shkuan sipas planeve.
Shkak për këtë u bë një super gol i shënuar në minutën e 8-të nga Emrush Kaloshi. Ai goditi mjaft bukur nga distanca duke lënë pa shpresa portierin Koliçi. Reagimi i Kukësit nuk vonoi me një gol mjaft të bukur me kokë nga Pejic në minutën e 33-të.
Skuadra verlindore gjeti golin e avantazhit vetëm në pjesën e dytë nga pika e bardhë me Pejic, pasi vendasit prekën topin në dorë brenda zone. Kroati ishte në një formë të jashtëzakonshme, teksa në fund do të shënonte dhe golin e tretë.
Partizani nuk ka arritur të shkojë më shumë se një barazim kundër Flamurtarit duke minimizuar në maksimum shpresat për të dalë kampion.
Të kuqtë kaluan të parët në avantazh duke krijuar iluzionin e një fitoreje, por golit të Ekuban në pjesën e parë u përgjigj kapiteni i vlonjatëve Bruno Telushi pak pas fillimit të pjesës së dytë. Edhe pse pati raste në të dy krahët, takimi përfundoi i stampuar me shifrat 1-1.
Një pikë për Flamurtarin e cila e ngjit në vendin e 7-të me 36 pikë, 1 më shumë se Laçi i vendit të 9-të që mposhti thellë 3-0 Vllazninë në sfidën e luajtur sot. Ndërsa Partizani e shikon Kukësin që mban kreun t’i largohet me +4 pikë. Kur kanë mbetur edhe dy sfida për t’u luajtur, skuadra e drejtuar nga Starova renditet e 3-ta me 68 pikë.
Në takimin tjetër të orës 19:00, Skënderbeu në minutat e fundit ka marrë një fitore me shumë vlerë përsa i përket luftës për titull kampion, tashmë vetëm me Kukësin.
Korçarët fituan takimin falë golit të Salihit në minutën e 84-r me një penallti të dyshimtë të ekzekutuar saktë. Një humbje për Tiranën që merr një goditje tejet të rëndë në luftën për mbijetesë.
Me mbylljen e javës së 36-të, Skënderbeu mban vendin e dytë me 71 pikë, 1 më pak se Kukësi. Ndërsa bardheblutë renditen të 9-t me 35 pikë, 1 më pak se Laçi e Flamurtari.