Kukësi ka bërë një përmbysje të jashtëzakonshme ndeshjes së fundit të javës së 11-të të Kategorisë Superiore, teksa i ka rrëmbyer fitoren Teutës. Një fitore e vuajtur ndaj një Teute që meritonte më shumë në këtë sfidë, por që në fund u ndëshkua nga forca e Kukësit, që ashtu si skuadrat e mëdha tregon se di të fitojë dhe në momente të vështirëa. Dy zëvendësimet e trajnerit Ernest Gjoka në pjesën e dytë e kthyen në favor të Kukësit takimin me Teutën në Durrës, që u mbyll me fitoren e verilindorëve me rezultatin 2-1. Por futja në fushë e Rengalit për Grecën dhe Lushtakut për Hasanin bëri që Kukësi të rriste presionin, duke shënuar dy herë brenda pak minutash, pikërisht me këta dy futbollistë. Ky sukses, i pari jashtë fushe në këtë kampionat për verilindorët, e mban Kukësin në krye të klasifikimit me pikë të barabarta me Skënderbeun. Skuadra korçare fitoi të dielën 1-0 në fushën e vet ndaj Korabit. Fitore me të njëjtin rezultat arriti Tirana ndaj Laçit në Stadiumin e saj, “Selman Stërmasi” në kryeqytet. Ndërsa dy takimet e tjera të javës së 11-të të Superiore, Vllaznia-Partizani dhe Luftëtari-Flamurtari, u mbyllën në barazim 1-1. Javën e ardhshme, Kukësi pret Tiranën në Stadiumin “Zeqir Ymeri”, ndërsa Skënderbeu udhëton drejt Laçit.