Kukësi vijon të jetë në krye të tabelës së klasifikimit në Kategorinë Superiore. Skuadra verilindore sot barazoi 1-1 ndaj Skënderbeut në Korçë duke mbajtur vendin e parë me 52 pikë, dy më shumë se kampionët. Këta të fundit bënë një ndeshje shumë të mirë kundër verilindorëve dhe deri në minutat e fundit e panë veten në avantazh, por qenë të pafat.
Golin për vendësit e shënoi Latifi në të 14′. Mici krosoi në zonë nga e majta dhe Shameti nuk arriti që ta largojë topin, pavarësisht përpjekjes së tij, duke i dhënë kështu mundësinë mesfushorit anësor të korçarëve të dërgonte sferën me lehtësi në rrjetën e mbrojtur nga Koliçi.
Kukësi u përpoq të shënojë golin e barazimit, por në shumicën e rasteve sulmuesi Pejiç dilte në pozicion jashtë loje. Skënderbeu, nga ana tjetër, u tregua më konkret në pjesën e dytë, teksa pati mundësinë e artë për të shënuar golin e qetësisë sërish me Latifin, i cili në të 63′ u rrëzua në zonë dhe pretendoi një penallti.
Në të 89′, Kale, i aktivizuar në pjesën e dytë në vend të Hasanit, shënoi një gol spektakolar për Kukësin në stilin “volley”, duke hipnotizuar portierin Shehi. Kaq mjaftoi që ekipi blu të jetë ende i pamposhtur në kampionat dhe të vazhdojë marshimin drejt titullit.