INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kukësi prezanton projektin që kushton 3.5 milionë euro

Kukësi prezanton projektin që kushton 3.5 milionë euro

Publikuar më: 13:41 11-10-2017

Klubi i F.K. Kukësit ka nisur punën paraprake për ndërhyrje në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Në klub ka mbërritur projekti, i cili është pëlqyer nga presidenti Safet Gjici dhe drejtuesit e klubit. Projekti është i mirëstudiuar dhe ka ardhur me detaje. Stadiumi i ri do të ketë një kapacitet prej 10 mijë vendesh dhe është i mbuluar krejtësisht edhe në tribunat e tifozëve. Ky impiant kap vlerën e 3.5 milion eurove dhe do të jetë padyshim ndër më modernët në Shqipëri.

Stadiumi do të jetë një qendër multifunksionale, pasi do të përfshijë të gjitha kushtet e nevojshme për skuadrën, nga palestra etj. I njëjti komoditet do të ofrohet edhe për tifozët që do të gjejnë shërbime të ndryshme.

Mbas miratimit të buxhetit nga qeveria shqiptare do të nisë edhe ndërhyrja në stadium. Presidenti Gjici ka besim se ky projekt do të miratohet nga qeveria shqiptare. Ndërtimi i stadiumit është një e mirë për qytetin e Kukësit, pasi sjell një tjetër impakt në jetën dhe ekonominë e qytetarëve. Skuadra kampione e Shqipërisë e meriton një investim të tillë edhe për shkak të historisë që ka bërë këto vitet në futbollin shqiptar. Ky stadium mund t’i shërbejë mjaft mirë edhe vëllezërve tanë nga Kosova, që do t’i kenë dyert e hapura për zhvillimin  e ndeshjeve në kompeticionet ndërkombëtare”, shkruhej në njoftimin e Kukësit.

Pas shumë kritikave për stadiumin e amortizuar, më në fund kampionët e Shqipërisë po bëhen gati për të pasur një stadium me parametra europianë.

 

Article Logic
Execution time: 0.0043120384216309