Barcelona e ka nisur vitin 2017 me humbje befasuese në Kupën e Mbretit. Katalanasit pësuan 2 me 1 si mysafirë të Athletic Bilbao në ndeshjen e parë të 1/8-ës së finales.
Baskët zhbllokuan shifrat me Aduriz në të 25-ën, ndërsa me Barcelonën që ende nuk e kishte marrë veten nga goditja, Bilbao dyfishoi 3 minuta më pas me Inaki Williams.
Katalanët reaguan në fraksionin e dytë të lojës, me Lionel Messin, por pavarësisht këmbënguljes dhe faktit që në fushë ishin thuajse të gjithë yjet e skuadrës barazimi nuk erdhi.
Barcelona nuk përfitoi as fakti që kundërshtarët e mbyllën lojën me 9 lojtarë, pas kartonëve të kuq të Raul Garcia-s në të 74-ën dhe Iturraspe dhjetë minuta përpara fundit të lojës. Pavarësisht humbjes, blaugranat i kanë të gjitha shanset të përmbysin shifrat dhe të kualifikohen në ndeshjen e kthimit që do të luhet javën e ardhshme në “Camp Nou”.