INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kuqezinjtë miqësore me kampionin e botës

Kuqezinjtë miqësore me kampionin e botës

Publikuar më: 10:43 06-02-2016

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Gianni De Biasi, ka bërë me dije se pas ndeshjes miqësore me Austrinë, të besuarit e tij do të përballen edhe me Gjermaninë.

Në një intervistë për një portal italian, numri një i bankinës kuqezi, ka deklaruar se kjo sfidë e cila vjen në prag të Kampionatit Europian “Francë 2016” do të jetë një test i vërtetë për të besuarit e tij. Megjithatë, tekniku nuk ka dhënë një datë se kur do të luhet kjo ndeshje.

De Biasi është pyetur edhe për tema të tjera përfshirë ndeshjen e ndërprerë në Beograd gjatë përballjes me Serbinë. Ai tha se duke gjykuar nga historia e dy popujve, skuadrat nuk duhet të ishin në të njëjtin grup.

Më tej, tekniku nënvizoi se mbrëmja e 14 tetorit të vitit 2014 ishte një episod që duhet harruar, pasi sipas tij, sjellja e tifozëve serbë ishte shumë brutale.

“Përpara takimit dëgjonim tifozët që bërtisnin, vritini shqiptarët. Kjo nuk është një gjë e mirë, pasi në skuadrën time ka edhe lojtarë që kanë humbur të afërmit gjatë luftës me Serbinë”, ishin fjalët e tij.

Sa i përket kampionatit europian, De Biasi tha se kombëtarja shqiptare nuk do të shkojë në Francë për t’u argëtuar, duke nënvizuar se ekipi i tij do të bënte maksimumin.

Në mbyllje, trajneri u pyet se çfarë do të ndodhte nëse Italia dhe Shqipëria do të përballeshin në euro 2016.

“Përpara ndeshjes unë këndoj himnin e Italisë, por pas fillimit të ndeshjes, ju betohem se kthehem në një shqiptar të vërtetë”, përfundoi De Biasi. 

Article Logic
Execution time: 0.0036189556121826