INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kur Yllka Mujo qante për Richard Gere: Ai putanën e shndërroi në zonjë, ndërsa këtu...

Kur Yllka Mujo qante për Richard Gere: Ai putanën e shndërroi në zonjë, ndërsa këtu...

Publikuar më: 10:39 11-04-2017

Ajo ka qenë gjithmonë një nga aktoret më të dashura të skenës shqiptare, të cilës nuk i ka pëlqyer të flasë shumë për veten.

Yllka Mujo ka ndarë me publikun aktoren, por jo gruan, nënën dhe bashkëshorten.

Por në 27 janar 1994, dha një intervistë për gazetaren Rudina Xhunga, është risjellë e plotë nga dritaner.net.

23 vjet më parë ajo tha: “Për mua fëmijët janë shtysa dhe frenimi”. Ja intervista e plotë:

Thonë se për aktorin skena dhe spektatori janë frymëmarrje. Ndërsa ishit jashtë ç’frymëmarrje artificiale përdorët?

Kam punuar. Punë nga më të zakonshmet, si në Greqi dhe Itali. Me vete kisha dy fëmijët.

U penduat ndonjëherë që patët shkuar?

U largova në një moment që isha tepër e tronditur si nga rrethanat politike dhe ato personale. Më ishte krijuar një stres i papërballueshëm dhe asgjë s’më mbante këtu.

Ç’raport ruanit atje me ndjesitë e ish aktores?

E ruaja gjallë ndjenjën e aktorit. Kjo s’bëhet në mënyrë të programuar, por ndodh instinktivisht. Ndjesitë e provuara në Shqipëri mua më mungonin, e sa më tepër iu ndjeja mungesën, aq më shumë ia kuptoja domosdoshmërinë.

Një eksperiencë jashtë për aktorin është zhgënjim?

Varet dhe ç’ka menduar të gjejë. Nëse ka menduar të ballafaqohet për të fituar e ka të vështirë. Gjithë artistët e kanë të vështirë, por aktorët më shumë, pasi është gjuha që i pengon. Megjithatë vlerat ekzistojnë dhe të vjen mirë kur ato vlerësohen, siç është rasti i Timo Fllokos dhe aktorëve të tjerë shqiptarë tek filmi i Liri Begesë. Por, mendoj, se të dalësh fillikat nëpër botë për të kërkuar suksesin, është një stërmundim i madh nëse e arrin dhe një zhgënjim edhe më i madh nëse s’e arrin.

Tani që i jeni rikthyer skenës, ndjeni t’ju mungojë ambicia apo pasioni?

Largimi më ka shtuar ambicien. Për mua skena ka qenë dhe mbetet gjithçka. Çlirimin tim si njeri unë atje e shoh. Kur hipi në skenë nuk dua të di ç’ekziston tjetër. Kam një ngarkesë të plotë dhe një shkarkesë të plotë.

Po aktoret e reja ç’komplekse ju shkaktojnë?

Kam prirjen t’i ndjek në prova, për t’iu dhënë një sugjerim a këshillë. Sa e kanë pëlqyer, se si e kanë kuptuar, se di.

Gruaja shqiptare e ka të pamundur të kujdeset njëkohësisht për karrierën dhe jetën familjare?

Pothuaj të pamundur. I duhet të braktisë njërën.

Ju cilën braktisët për hir të tjetrës?

Karrierën po e le, të la. Ndërsa në jetën familjare mund dhe të kesh hope pushimi. Para provave për një shfaqje unë flas me vajzën. I them se këtë muaj do jem e zënë dhe s’do kem mundësi për të ndenjur me të, ndaj i kërkoj të më ndihmojë duke u marrë pak më shumë dhe me të vëllanë. Pastaj herë pas herë i marr në prova. Kështu me shumë sforco i bëj të dyja, duke i dhënë impulse kryesore shfaqjes.

Dukeni, apo jeni e palumtur?

Kush ka kërkesa për veten asnjëherë s’është e lumtur. Pastaj lumturia si nocion është e papërcaktuar. Herë-herë unë qesh, loz si fëmijë. Herë-herë qaj si fëmijë.

Kur keni qarë për herë të fundit?

Kur pashë “Gruaja e bukur” me Richard Gere.

Pra qani nga përrallat?

Jo, qava sepse, ja, njëri, putanën e shndërroi në zonjë, ndërsa këtu paturpësia mashkullore po i shndërron zonjat në putana.

Burrat shqiptarë janë despotë të paemancipuar, apo janë si gjithë burrat në botë?

Unë burrat e botës s’i kam njohur, por duke bërë njëfarë krahasimi them se shqiptarët janë njerëz me të vërtetë inteligjentë, veç më tepër respekt për femrën duhet të kenë. Mungesa e respektit për tjetrin e ka zanafillën tek mungesa e respektit për veten.

Ç’vlerësoni tek një burrë, mashkulloritetin fizik, apo atë intelektual?

Gati vetëm intelektin, finesën e fjalës, sensin artistik, fuqinë shpirtërore.

Keni njohur ndonjë njeri të tillë?

Në rini.

Dhe s’e braktisët për të karrierën?

Jo, edhe pse m’u kërkua.

Rolet tuaja, bukuria, ikja ju dhanë epitetin e aventurieres…

Aventurën s’e kam dashur kurrë. Aq më pak tani. Më pëlqen lidhja e fortë, e vërtetë. E urrej opinionin që të vëzhgon e të ngacmon, që shton e sajon. Do i lutesha këtij opinion ta lerë të qetë artistin, të jetojë e të krijojë.

Ç’mendoni për një martesë. Para se ta hedhësh atë hap, duhet menduar mirë, apo s’duhet menduar fare?

Herë-herë gjërat mendohen shumë dhe s’përfundojnë mirë. Për këtë s’ka receta.

Ç’e shkatërron një martesë?

Mostoleranca. Të mosmenduarit thellë në një moment të caktuar. Mospërputhja e karaktereve. Pamundësia për të gjetur tek partneri ato që ke ti dhe ato që kërkon, që sjell pastaj pamundësinë për t’u shprehur, për ta dashur, për të rritur me të fëmijët.

E nëse një martesë shkon keq, duhet këputur, apo duhet tërhequr zvarrë?

Duhet këputur. Nëse një martesë është pamundësisht e lidhshme, atëherë është e zgjidhshme.

Ç’mendoni për modën; burrë plus i dashur?

Është një hipokrizi që unë s’e përballoj dot. Por hipokrizia më e madhe është se ky banalitet justifikohet me faktin, se bëhet për fëmijët. Një familje e tillë nuk rrit fëmijë, por i shkatërron, i vdes.

Jeni nënë e rreptë me fëmijët tuaj, apo i lini të rriten?

Mbi dashurinë dhe logjikën ndërtoj bazat e marrëdhënieve me fëmijët. Nuk jam për liri absolute, por as për frenimin që bën më të madhe dëshirën e arratisjes. Mundohem të krijoj marrëdhënie miqsh. Flas me ta, seriozisht për gjithçka, duke i parapërgatitur për të mirën dhe të keqen. Fëmijët janë shtysa dhe frenimi im.

Do ju ndërhyni në edukatën sentimentale?

Nëse vazhdon ky lloj raporti duke u rritur do jenë ata që do e kërkojnë.

Po ju ç’raport keni pasur me nënën tuaj?

Nëna ngelet gjëja më e pastër për fëmijën. Që të mos ndyhesh, tek ajo duhet të drejtohesh. Kujtoj që dikur, i kam vënë kokën në prehër dhe i kam thënë: “Kam rënë në dashuri, mami!”

Ç’raport keni me paranë?

Në teatër jam me kontratë. Pra para s’kam. Do doja shumë të kisha, që të mundesha të blija një shtëpi, ku të rrija bashkë me dy fëmijët.

Ç’ndjesi ju shkakton vetmia?

Me vetminë duhet të miqësohesh, pasi si thotë francezi: “Më mirë vetëm, se i shoqëruar keq”.

Si ka ndryshuar Yllka e shfaqjes dhe e passhfaqjes, nga vajza në grua në nënë?

Yllka e shfaqjes është e njëjta. Po ai pasion. Tani është pjekur si aktore. Yllka vajzë, e passhfaqjes, dilte në rrugë me vrap dhe kërcente nga gëzimi. Me duart plot lule, mezi priste dikë t’i tregonte. Yllka grua, kur mbaronte shfaqja, donte të kishte dhe një shfaqje tjetër para se të kthehej në shtëpi. Yllka nënë, del pa u vënë re dhe shkon të kontrollojë, në flenë fëmijët, në hëngrën, në i bënë detyrat.

Bëjini vetes një pyetje, që do kishit dashur t’ua bëja unë gjatë intervistës?

Kam dëshirë të pyes vetën: “Ç’është për ty nata?” E kam dëgjuar ta bënte shpesh Marxullo në televizionin italian dhe më ka pëlqyer përgjigja e Quinit: “Për mua nata është ëndërr”. Dhe unë dua ëndrrën. Pa të, s’do mund të jetoja.

Article Logic
Execution time: 0.0028958320617676