Raketa që goditi një aeroplan të Malajzisë mbi Ukrainën lindore në 2014 i përkiste një brigade ruse, thanë hetuesit ndërkombëtarë.
Ekipi i udhëhequr nga Hollanda tha për herë të parë, se raketa erdhi nga një brigadë ruse me bazë në qytetin e Kurskut.
Të 298 pasagjerët në bordin e Boeing 777 vdiqën kur aeroplani u shpërbë në mes të ajrit.
Boeing 777 po fluturonte nga Amsterdami në Kuala Lumpur dhe u godit nga një raketë që u lëshua nga territori i zotëruar nga rebelët në Ukrainë.
Rusia thotë se asnjë prej armëve të saj nuk është përdorur.
Por të enjten Wilbert Paulissen, një zyrtar hollandez nga Ekipi i Përbashkët Hetimor (JIT), u tha gazetarëve: "Të gjitha mjetet në një karvan që mbante raketën ishin pjesë e forcave të armatosura ruse."
Ai tha se pas studimit të të gjitha fotografive dhe pamjeve në dispozicion, hetuesit arritën të gjurmonin karvanin në brigadën 53 të Rusisë.