INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kush është shqiptarja që synon të bëhet deputete në Suedi

Kush është shqiptarja që synon të bëhet deputete në Suedi

Publikuar më: 18:29 16-03-2017

Ajo quhet Aurora Pirraku Eriksson dhe ka emigruar në moshën 19-vjeccare për në Suedi në vitin 1992, ashtu si shumë shqiptarë në të gjithë botën. Aurora ka arritur të bëhet pjesë e shoqërisë suedeze, si dhe tashmë synon të bëhet deputete në Parlamentin suedez. Këtë dhe shumë të tjera i lexoni në intervistën e mëposhtme për Infopress:

Fillimisht a mund të na tregoni se si keni shkuar në Suedi?

Aurora Pirraku Eriksson: Në Suedi kam ardhur në vitin 1992, në kohën kur edhe shumë shqiptarë kanë emigruar në shtete të ndryshme të Evropës për shkak të situatës politike në shtetin tonë. Kam vendosur të vijmë në Suedi pasi që atëherë ka qenë mundësia e vetme që na është ofruar. Kur kam ardhur në Suedi në isha vetëm 19 vjeçe. Djali im Albani ishte 1 vjeç e gjysmë kur ne emigruam, dhe isha në pritje të fëmijës të dytë dhe pas dy ditëve që kam ardhur në Suedi, kam sjellë në jetë fëmijën tim të dytë Yllin. Arsyeja pse ne kemi emigruar ka qenë gjendja e rëndë politike dhe jemi detyruar të shpërngulemi në një vend më të sigurt për të ardhmen tonë.

Në cilin qytet keni shkuar në Suedi dhe si jeni pritur atje?

Aurora Pirraku Eriksson: Qyteti i parë kur erdhëm në Suedi ishte Ystad. Jemi vendosur në tenda, por nuk ka pasur vetëm shqiptarë, kishte edhe shumë emigrantë tjerë nga vende të ndryshme të botës. Kushtet kanë qenë shumë të vështira, por pasi që unë isha në ditët e fundi të lindjes së fëmijës tim, më kanë dërguar në kamp të qytetit, i cili ishte kampi i përkohshëm. Kemi qëndruar në atë kamp për një kohë të shkurtë rreth 3-4 muaj, dhe pas asaj kohe na kanë dërguar në kampin Hallstahammar, qytezën afër qytetit Västerås ku jetoj dhe tani që 25 vjet. Pritja e popullit suedez nga vlerësimi im ka qenë shume i mirë, pasi që edhe ashtu shtetit suedeze njihet si një ndër shtetet me solidare në botë. Më kujtohet një rast që nuk do ta harroj kurrë, kur një zonjë me shumë dashuri e largoi nga qafa e saj zinxhirin që ishte shume i vlefshëm për të dhe ma dhuroi mua. U hamenda pasi që ishte një gjest shumë human nga ana e zonjës, dhe gjithashtu nuk do ta harrojë kurrë sa me dashuri më përkëdhelte flokët, pasi që unë edhe isha shume e re dhe nënë e dy fëmijëve.

Si ka qenë rruga e integrimit tënd në shoqërinë suedeze?

Aurora Pirraku Eriksson: Pas 3 viteve qëndrim në Suedi, ne fituam të drejtën e qëndrimit dhe mundësitë për integrim ishin shumë më të lehta. Unë menjëherë fillova kursin e gjuhës suedeze dhe gjatë kohës sa isha në kurs, mësuesja më tregoi se më ka rekomanduar në një firmë të përkthimeve që të punoja si përkthyese e gjuhës shqip-suedisht pasi që kishte shumë nevojë në atë kohë. Ky ishte hapi im i parë kur unë fillova zhvillimin e karrierës time. Janë dy gjera të rëndësishme për mundësinë e integrimit në Suedi: shkollimi dhe punësimi të cilat t’i ofron shumë lehtë shteti suedez. Unë edhe isha shumë me fat që qysh në fillim mu ofruan mua, dhe rrugëtimi im drejt integrimit ishte shumë i lehtë. Unë mendoj që kur njeriu është i gatshëm të integrohet në një shoqëri të re, më pak mund të arrijë në çdo shtet ku ai/ajo vepron dhe jeton, por asnjëherë duke mos e harruar prejardhjen time. Si në vendin tënd, ashtu edhe në çdo vend të botës, mendoj se njeriu duhet të punojë shumë për të arritur atë që dëshiron. Është me rëndësi që kudo që shkon të len gjurmë të mira nga prejardhja që vjen.

A ka qenë lehtë dhe me çfarë vështirësish jeni përballur në fillim?

Aurora Pirraku Eriksson: Normalisht që çdo fillim është i vështirë. Edhe për mua nuk ka qenë aq lehtë të lë çdo gjë në vendin tim dhe të filloj jetën në një vend të ri ku për mua ka qenë si një botë e re. Mirëpo, shteti suedez qysh nga fillimi na ka ofruar të gjitha mundësitë për një jetesë shumë të mirë, vlen të ceket se edhe fëmijëve të mi qysh në klasë të parë ju ka ofruar shkollimi në gjuhën shqipe dhe në gjuhën suedeze. Edhe për shtetin suedez ishte me rëndësi që fëmijët tanë të mos e harrojnë gjuhen amë, pasi që identiteti i çdo personi është shumë me rëndësi. Mirëpo, me vullnet dhe dëshirë kemi arritur të integrohemi në mënyrën më të mirë deri më tani dhe mund të them se kur njeriu do, mundësia e integrimit nuk është aspak e vështirë.

 Si arritët të hyni në bordin e mjekësisë dhe në polici në Suedi dhe a ka qenë vështirë, pasi jeni nga Kosova?

Aurora Pirraku Eriksson: Qysh nga viti 1995 kur unë fillova punën time të parë, në të njëjtën kohë edhe kam vazhduar shkollimin tim të cilin e kisha ndërprerë në Kosovë. Pastaj kam studiuar për përkthyese 2 vjet, kam vazhduar Fakultetin për Psikologjia e Sjelljeve Njerëzore në Universitetin e Mälardalens, ku kam përfunduar magjistraturën dhe gjithashtu fakultetin për Udhëheqje ( Lidership ) për 2 vite ku kam marr titullin edhe Magjistër i Lidershipit. Gjithashtu kam të kryer edhe Fakultetin e Kriminologjisë në titull Master të Universitetit të Stockolm-it dhe pastaj jam certifikuar në degën e Psikoterapisë, shkalla e parë dhe jam në vazhdim të shkallës së dytë ku shpresoj se deri në fund të vitit do të marr certifikatën e drejtimit Psikodinamik dhe do të hapi ordinancën private. Arritjet e mia në bordin e mjekësisë në shtetin suedez ishin pasi që unë qysh nga viti 1999 jam punësuar në Komunën e Västeråsit dhe kam qenë si pjesë e Partisë Social Demokrate dhe kështu çdo vit kam arritur të marr pozitë më të lartë politike, ku dhe kështu kam arritur të përfshihem në bordin e mjekësisë, ku edhe sot jam ne bordin e partisë Social Demokrate *besim dhe slidaritet* për të gjithë Suedinë. Gjithashtu jam edhe kryetare e grave të Partis STS në komunën tonë dhe nënkryetare e partisë për regjionin e Vestmmaland. Partia STS më kanë kandiduar për mandatin e ardhshëm që të jem pjesë e Parlamentit suedeze, gjithashtu pjesë e partisë në bordin e mjekësisë. Në Polici kam filluar në Nëntor të vitit 2016, dhe punoj si analiste për regjionin MIT të 46 komunave në Suedi.

 Shqiptarët që kanë ardhur në Suedi gjatë luftës si janë mirëpritur atje dhe mënyra e integrimit në shoqëri?

Aurora Pirraku Eriksson: Kjo sa është pyetje e mirë është edhe shumë e dhimbshme për arsye se kur kanë ardhur nga lufta, kanë ardhur me dëmtime të mëdha ekonomike psikike dhe fizike. Prindërit kanë qenë shumë të lënduar shpirtërisht për fëmijët e tyre. Këto trauma shumë të thella ndoshta do të kalojnë edhe 20 vjet deri sa kjo të hiqet dhe të bëhet gjithçka në rregull. Shteti suedez si kanë ardhur shqiptarët i ka përkrahur shumë dhe ju ka ndihmuar në çdo mënyrë me çfarëdo që ju është nevojitur në mjekësi, psikoterapi, ekonomi, por ndihma morale ka qenë ajo më e madhja. Populli shqiptar është mirëpritur në mënyrë shumë të mirë në Suedi, pasi që shume prej tyre janë të shkolluar dhe udhëheqin pozita mjaft të mira të punës. Shteti suedez është një ndër shtetet e para që ka pranuar Republikën e Kosovës. Të rinjtë po tregojnë një sukses shumë të madh në të gjitha fushat e shkollimit. Shteti suedez, jo vetëm për shqiptarët, por të gjithë popujve ju ofron mundësi shumë të mira për shkollim dhe punësim. Me aq sa kam pasur mundësi , mendoj se kam arritur shumë, varësisht se çfarë ndihme ju kam ofruar. Mund të përmendi të ashtuquajturën skulptura “Gëzimi dhe Liqeni i ngrirë”, në qytetin e Västeråsit. Gëzimi simbolizon emigrimin e shqiptarëve në Suedi, të cilët pas emigrimit të tyre janë dëbuar në shtetin e Kosovës. Kjo ishte nisma ime të ndërtohet skulptura në qendrën e qytetit të Västeråsit.

Sa ju përkrahin shqiptarët pasi jeni e vetmja shqiptare që ka arritur të jeni kandidate në ndonjë parti  suedeze, sepse në njëfarë mënyre i përfaqësoni ata?

Aurora Pirraku Eriksson: Shqiptarët më përkrahin shumë, më thërrasin “Buqja e bardhë”, sepse ju kam ndihmuar shumë me përkthime kur ata kanë ardhur në Suedi gjatë kohës së luftës, sepse dallimi ndërmjet Kosovës dhe Suedisë është shumë i madh dallojnë si “dita me natë”, sepse sistemi suedez është ndryshe, andaj ju kam ndihmuar shqiptarëve në integrim në shoqërinë suedeze në shumë mënyra. Shqiptarët në Suedi më marrin simbol shpeshherë, tash kemi shumë suksese me rininë atje.

 Çfarë mendoni për investimet e shqiptarëve në Kosovë a duhet dhe a ja vlen të investojnë?

Aurora Pirraku Eriksson: Fjala e ka fuqinë e fortë, fjala pengon- fjala ndihmon! Shqiptarët në diasporë po i pengojnë fjalët që po ju transmetohen atyre që të investojnë në Kosovë. Unë personalisht kam pasur shumë frikë që të investoj këtu, shumë familjarë të mi që jetojnë në Kosovë më kanë frikësuar për sigurinë e ndërtimit dhe kualitetit në ndërtime, gjithashtu më kanë frikësuar edhe për punën juridike të cilën e bëjnë në Kosovë. Unë kam vendosur të rrezikoj qoftë edhe në humbjen e një shume të madhe parash, kam investuar në pasuri personale, kam blerë dy banesa dhe si kontraktues kam zgjedhur “Model Slovenia”, dhe jam befasuar me kualitetin që ka kjo kompani ndërtimi, tash dy vite kanë kaluar dhe kjo kompani nuk më ka dalë nga fjala as edhe një sekondë si në kualitet si në punë juridike të noterëve në Kosovë, andaj i ftoj të gjithë bashkatdhetarët të investojnë në vendin e prejardhjes së tyre sepse ja vlen.

Kultura dhe gjuha shqipe në Suedi sa ruhet dhe a do të punoni ende në këtë drejtim?

Aurora Pirraku Eriksson: Unë jam në bordin për socialdemokrat dhe mund të bëj ndryshime dhe do të bëj sigurisht, por në Suedi komuna është ajo që i afron kurset plotësuese dhe shkollën shqipe, pra mësohet njëkohësisht edhe gjuha shqipe edhe ajo suedeze, por me më pak orë. Këto kurse ekzistojnë edhe në universitete. Këto kurse ndiqen shumë nga shqiptarët, por për çudi klasa ime e gjuhës shqipe ka pasur më shumë suedezë se sa shqiptarë, gjuha shqipe është gjuha më e vjetër në Evropë dhe më e bukura dhe nuk bën ta harrojmë assesi. Në Suedi e duan gjuhën shqipe shumë dhe e studiojnë, shkrimin e parë për Skënderbeun e ka bërë një suedez, kemi miqësi të fortë ndërmjet vete ne të dy popujt.

Pasi thatë se jeni në organizatën suedeze për krim të organizuar dhe krime të rënda, çfarë mendoni për Kosovën a ju duket shqiptarëve në diasporë si vend i pasigurt dhe sa ndikon kjo në imazhin e Kosovës jashtë kufijve?

Aurora Pirraku Eriksson: Kosova është qendër e rrezikut sipas një profesori polak, por shqiptarët janë të fortë, kanë kaluar kriza shumë të mëdha dhe nuk e harrojmë vendin tonë. Nuk lejojmë që rinia të dëmtohet me drogë për arsye se shoqëria e mbron të vetin, familja e mbron fëmijën. Gjithmonë kam parë në Kosovë se fëmijët shëtisin të lirë nëper qytet e në një vend si Suedia kjo nuk ndodh. Atje shteti është shumë në rregull. Kosova është vetëm 9 vjet shtet dhe ne duhet të mobilizohemi dhe të mos i lejojmë gjërat negative të rriten. Policia e Kosovës po punon shumë, ka ecur shumë përpara.

Article Logic
Execution time: 0.0021898746490479