Zbulohen emrat e katër personave të ndaluar lidhur me grabitjen e bujshme në 9 prill, në aeroportin e Rinasit.
Të ndaluarit janë Alkond Bengasi, Saimir Çela, F.Beqiraj dhe R.Sula.
Dy prej të ndaluarve, janë arrestuar pasi dyshohet se kanë qenë ata personat që kanë modifikuar furgonin që u përdor për vjedhjen e parave, në të cilin ishte mbishkrimi “Hetim Tatimor”.
Të dyshuarit u identifikuan nga gjurmët e gishtave të gjetura në dy furgonët të cilët u përdorën për tu larguar.
Grabitja e thasëve me para ndodhi pak para orës 15.00 të 9 prillit, në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” të Tiranës. Gjithçka brenda një kohe shumë të shkurtër, kur një automjet dyshohet me pesë persona në bord, theu derën e rrethimit që përdoret nga shërbimet zjarrfikëse, dhe iu afrua me shpejtësi avionit të linjës “Austrian Airlines”, ku sapo ishin ngarkuar për t’u transferuar jashtë vendit, paratë e disa bankave.
Grabitësit hipën në barkun e avionit, në zonën e bagazheve, duke marrë prej andej sasitë e mëdha të parave.
Gjatë largimit nga aeroporti, ndërkohë që është dhënë alarmi për grabitjen, ata kanë hasur në një patrullë të Forcave të Ndërhyrjes së shpejtë, me te cilët ka patur dhe një shkëmbim zjarri. Një prej grabitësve Admir Murataj, gjatë të shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë me një plumb në kokë.