Edhe pse ftesat ishin të shumta për Kongresin e Partisë Socialiste, ashtu dhe mungesat kanë qënë të mëdha. Ajo që ra në sy ishte ajo e liderit historik të Partisë Socialiste Fatos Nano. Ftesa në fakt është dorëzuar, por Nano ka zgjedhur të mungojë në sallën e Pallatit të Kongreseve në Kongresin e partisë, ku merrnin pjesë rreth 1500 delegate por dhe shumë të ftuar. Por mungesa e tij nuk e ka stepur liderin e socialistëve Edi Rama, për t’i drejtuar një falenderim të veçantë.
“Falenderoj Fatos Nanon. Dëshiroj të na bashkohet kur vjen dita e 25 vjetorit dhe uroj të gjejë fjalët e duhura për kontributin e lidershipit të tij demokratik në PS. Çfarë na ka ndarë me të nuk i ndan më dysh dhe nuk bën që të hidhet poshtë kontributi i tij”
Të tjera mungesa në Kongresin e Partisë socialiste. Ish presidenti Alfred Moisiu mungoi në këtë takim, e po ashtu edhe kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi si dhe Vangjel Dule. Ndërkohë të pranishëm janë Eduard Ndocaj dhe Arben Ndoka, Spartak Ngjela dhe Skënder Gjinushi.