INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Kush nuk deklaron të ardhurat pas 30 prillit “ndëshkohet”

Kush nuk deklaron të ardhurat pas 30 prillit “ndëshkohet”

Publikuar më: 11:11 14-03-2016

Kush fiton mbi 2 milion lekë në vit duhet të dorëzojë deklaratën vjetore të të ardhurave deri në 30 prill.
Sipas Ligjit të Tatimit mbi të ardhurat fundi i muajit prillit është vendosur të jetë afati i fundit për dorëzimin e deklaratave nga ana e subjekteve që tatohen me 15%.
“Dorëzimi i deklaratës individuale vjetore bëhet jo më vonë se data 30 prill e vitit që pason periudhën tatimore për të cilën bëhet deklarimi. Përjashtimisht, nga ky afat vetëm për vitin tatimor 2011, deklarata dorëzohet deri në datën 30 shtator 2012.”, përcakton Ligji i tatimit Mbi të ardhurat.

Këto janë penalitetet nëse nuk repektohen afatet apo fshihen të ardhurat:

Kur administrata tatimore konstaton raste të mosplotësimit në kohë të deklaratës vjetore të të ardhurave, zbatohen sanksionet administrative, të përcaktuara në ligjin e procedurave tatimore, për dorëzim. Këto procedura parashikojnë gjobë deri 10 mijë lekë për vonesën e paraqitjes së deklaratës vjetore të të ardhurave.
Nga ana tjetër, për vonesa në shlyerjen e detyrimit subjektet penalizohen me me 0.06% të tatimit për çdo ditë vonese në pagimin e detyrimit tatimor. Në rast kur tatimpaguesi, në deklaratën vjetore të të ardhurave, jep informacion të gabuar apo të rremë e të pakorrigjuar nga ai vetë, brenda afatit të parashikuar nga ky ligj për korrigjimin, zbatohen dispozitat e Kodit të Proçedurës Penale dhe të Kodit Penal.

Të dhënat:

Deklarata vjetore e të ardhurave plotësohet nga tatimpaguesi, që mbart detyrimin për të deklaruar, dhe përmban të dhëna për të ardhurat bruto, për shpenzimet e zbritshme të kryera, si dhe për tatimet e paguara gjatë periudhës tatimore. Deklaruesi, në rast se konstaton gabime materiale të bëra nga ai vetë gjatë plotësimit të deklaratës, ka të drejtë që, brenda 3 muajve nga data e dorëzimit të deklaratës, të bëjë korrigjimet e nevojshme.
Brenda këtij afati, individi ka të drejtë të bëjë korrigjimin e deklaratës deri në dy herë, pa u penalizuar. Nëse nga ana e tij korrigjimi brenda këtij afati tremujor ndryshon për herë të tretë, ndaj tij aplikohen sanksione. Për të përfituar nga shpenzimet e zbritshme për fëmijët dhe për personat në kujdestari, të parashikuara në ligj, pjesa e deklaratës, që i përket këtyre shpenzimeve, plotësohet vetëm nga kryefamiljari.
Për çdo të ardhur dhe shpenzim, të referuar në deklaratën vjetore të të ardhurave, tatimpaguesi që bën deklaratën mban kopje origjinale të dokumentit që provon të ardhurën apo shpenzimin e zbritshëm ose fotokopje të njësuar nga institucioni lëshues i dokumentit. Origjinali i tyre, në çdo rast, ruhet në përputhje me legjislacionin fiskal dhe vihet në dispozicion të administratës tatimore, kur kërkohet prej saj.

Deklarata individuale vjetore e të ardhurave

Tatimpaguesit individë, rezidentë në Republikën e Shqipërisë, që realizojnë të ardhura të tatueshme në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë saj, dorëzojnë deklaratën vjetore të të ardhurave pranë administratës tatimore qendrore. Deklarues të të ardhurave individuale vjetore janë edhe tatimpaguesit jorezidentë, të cilët krijojnë të ardhura të tatueshme me burim në Republikën e Shqipërisë.
Çdo deklaratë individuale vjetore e të ardhurave plotësohet me numrin e identifikimit personal në letërnjoftimin e individit, i cili shërben si kodi fiskal i individit. Edhe në rastin kur individi është person jorezident në Republikën e Shqipërisë, si kod fiskal shërben numri i identifikimit personal në letërnjoftimin e individit.
Përjashtohen nga detyrimi për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës individuale vjetore të të ardhurave të gjithë individët që realizojnë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet në shumën e përgjithshme më pak se 2 000 000 (dy milionë) lekë. Përveç tatimpaguesve të parashikuar në këtë nen, deklarata vjetore e të ardhurave mund të plotësohet edhe nga persona të tjerë, që vendosin të bëjnë deklaratën, megjithëse nuk kanë detyrimin ligjor për këtë, për arsye se duan të përfitojnë nga skema e shpenzimeve të zbritshme, e parashikuar në këtë ligj, kur këta individë plotësojnë kushtet e përfitimit të zbritjes së shpenzimeve.
Tatimpaguesit, të cilët nuk janë subjekt i deklarimit, por duan të plotësojnë deklaratën dhe kanë të ardhura bruto vjetore nga të gjitha burimet deri në shumën 1 050 000 lekë në vit (e indeksueshme çdo vit), por jo më të lartë se kjo shumë, mund të jenë subjekte deklaruese.
Për efekt të llogaritjes së të ardhurës së tatueshme të këtyre individëve që plotësojnë deklaratën vjetore të të ardhurave, janë shpenzime të zbritshme shpenzimet e mëposhtme: shuma e interesit bankar të kredisë së marrë për shkollim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari; shpenzimet për mjekim, për vete apo për fëmijët dhe personat në kujdestari, për pjesën e pambuluar nga sigurimi i detyrueshëm shëndetësor, sipas përcaktimeve të rregulluara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Article Logic
Execution time: 0.00382399559021