Me internetin privatësia jonë u vu në rrezik, por me krijimin e një aplikacioni të ri privatësia jonë mund të marrë fund njëherë e përgjithnjë. Sipas “The Guardian”, aplikacioni është krijuar nga disa rusë dhe quhet “FindFace”. Ai u lejon njerëzve të gjejnë çdokënd në mediat sociale, vetëm duke marrë një fotografi të tyre.
Në fakt ky aplikacion u krijua për autoritetet e sigurisë për të ndjekur kriminelët me anë të fotove të marra nga kamerat e sigurisë, por ai mund të keqpërdoret. Krijuesit thonë se aplikacioni mund të përdoret edhe për takime.
Me anë të “FindFace”, mund të identifikosh kë të duash për pak sekonda me anë të një fotoje, deri në 70% saktësi. Aplikacioni deri tani punon vetëm për rrjetin social “Vkontakte”, dhe jo me “Facebook”, por krijuesit po punojnë për të patur qasje edhe te ky i fundit.