Filmi shqiptar "Martesa" me skenar dhe regji nga Blerta Zeqiri, fitues i dy çmimeve në Festivalin e Filmit në Talin, është propozimi zyrtar i Kosovës për kategorinë “Filmi më i mirë i huaj” në “Oscar”.
“Martesa” flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese. Në rolet kryesore të filmit janë Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu.
Kryesuesi i komisionit përzgjedhës Isa Qosja u shpreh:
Filmi i propozuar është një tregim ndryshe nga ato që jemi mësuar apo detyruar t’i shohim tek ne, përmban një strukturë disa shtresore dramaturgjike, aktorët i gjallojnë fatet e tyre në mënyrë të natyrshme dhe me mjaft emocione. Regjisura është gati e pavërejtur dhe kjo i jep këtij filmi rrjedhshmëri në perceptim të fabulës dhe përjetimit”.