INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Ky është qyteti zvicerian i bandave shqiptare të drogës [FOTO]

Ky është qyteti zvicerian i bandave shqiptare të drogës [FOTO]

Publikuar më: 11:26 26-03-2017

Vrasja gjakftohtë e dy shqiptarëve në Basel të Zvicrës zbulon përmasat e krimit të organizuar në këtë qytet.

Para dy javësh në Basel të Zvicrës u vranë dy shqiptarë dhe një u plagos rëndë. Vrasësit nuk janë zbuluar ende. Ndonëse banorët e lagjes ku ka ndodhur krimi duket se nuk janë të shqetësuar, të shtënat me armë kanë treguar se qyteti verior zviceran, një ndër qendrat më të mëdha industriale të Europës, është shndërruar në një arenë të veprimtarisë së bandave shqiptare që merren me tregti me drogë.

Siç shkruan gazeta «Basler Zeitung» viktimat – dy të vrarët dhe i plagosuri – banonin afër «Café 56», ku ndodhi përleshja e përgjakshme. Sipas burimeve të gazetës banesa shërbente si depo për heroinë dhe kokainë. Një informator ka thënë se viktimat takoheshin në «Café 56» dhe në një kafehane tjetër për të organizuar shpërndarjen e drogës në qytet. Kërkesat për blerje të drogës në shumë qytete europiane janë të mëdha.

Një studim i Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogave dhe Varësisë nga Drogat (European Monitoring Centre for Drugs and Drug Addiction) ka treguar së fundi se pas Londrës dhe Antwerpenit qyteti i Zürichut renditet i treti për konsum të kokainës në Europë. Edhe në Basel kërkesat janë të mëdha. Kokaina është shndërruar në një drogë që konsumohet nga gati të gjitha shtresat shoqërore – nga punëtorët e ndërtimtarisë dhe menaxherët deri te bankierët. Rrjedhimisht, aty ku ka kërkesë për blerjen e kësaj droge nuk mungojnë edhe dilerët. Heqja e vizave të Schengenit për shtetasit e Shqipërisë krahas anës pozitive ka edhe një anë negative: për dilerët udhëtimi pa viza nga Bari në Itali deri në Stokholm të Suedisë është një shans i mirë për biznesin e tyre.

17439109_1434636743226636_3054246072768528384_n.jpg

Sipas mediave zvicerane vrasja e dy shqiptarëve në Basel është pasojë e një konflikti pas vjedhjes së dy kilogramëve të drogës, të cilat duhej t’i shpërndante një diler. Mediat kanë njoftuar se viktimat jetonin në Itali dhe në Basel kishin ardhur si turistë. Sipas një ish-komisari të kriminalistikës në Basel shqiptarët janë të lidhur në rrjete të fuqishme dhe kontrollojnë zinxhirin e shpërndarjes së drogës nga përpunimi, transporti deri te konsumuesi.

Sipas Robert Lessmann nga Universiteti i Kölnit, i cili sapo ka botuar librin «Politika ndërkombëtare e drogës», tregtia ilegale me drogë përbën boshtin kurrizor të krimit të organizuar. Sipas Lessmann Ballkani tradicionalisht luan një rol të rëndësishëm për tregtinë me drogë mes Azisë dhe Europës. Supozohet se vëllimi vjetor i heroinës së transportuar nëpër Ballkan sillet rreth 80 tonelata në vlerë prej 20 miliardë dollarë. 

 

Article Logic
Execution time: 0.003788948059082