Këngëtarja dhe së fundmi aktorja e famshme Lady Gaga është nderuar me një çmim në “Women in Hollywood Awards” të drejtuar nga revista prestigjose “Elle”. Eventi u mbajt mbrëmjen e djeshme, ku Gaga është nderuar me një çmim për kontributin e saj në industri dhe për frymëzimin e dhjetra femrave.
Çmimi i’u dha nga këngëtarja Jennifer Lopez, ndërkohë që e ka ftuar për të dhënë fjalimin e saj. Lady Gaga ka shpërthyer në lot dhe gjatë fjalimit të saj ka treguar për abuzimin seksual që ka përjetuar në moshën 19 vjeçare.
“Në moshën 19-vjeçare më abuzuan seksualisht dhe që atëherë kam ndryshuar krejtësisht. Një pjesë e imja u mbyll për vite me radhë. Nuk i tregova askujt. Më vinte shumë turp. Madje edhe tashmë po ndihem keq para jush. Ka ditë që vazhdoj të mendoj se ndoshta ishte faji im. Pasi ndava atë që më ndodhi me disa persona shumë të fuqishëm në fushën e muzikës askush nuk më ndihmoi. Një gjendje e tillë bëri që t’i drejtohesha mjekut. Më pas filloi ndryshimi, pasi pata burime që më ndihmuan të kaloj këtë situatë të vështirë”, – është shprehur Gaga.