Kapiteni aktual i bavarezëve, Philipp Lahm, në qershor do të varë këpucët në gozhdë dhe pasuesi i tij do të jetë pikërisht Manuel Neuer, i transferuar nga Schalke 04 me shumë bujë në vitin 2011.
Që atëherë, gardiani i portës ka fituar pesë herë kampionatin, tri herë Kupën e Gjermanisë dhe një herë Ligën e Kampionëve (2013), transmeton telegrafi. Ai gjithmonë ka qenë protagonist në fushë dhe madje një nga arsyet kryesore pse Bayern ka pasur kaq shumë suksese.
Javën e kaluar, trajneri Carlo Ancelotti tha se skuadra dhe klubi do të vendosin për kapitenin, jo ai.
Tani ata e kanë bërë, por ende nuk dihet data e njoftimit zyrtar. Së fundmi, Lahm i parapriu këtij lajmi duke thënë se Neuer dhe Thomas Muller janë dy kandidaturat më serioze për pasuesin e tij.
Hera e fundit kur Bayern ka pasur një portier për kapiten ka qenë në vitin 2008, me “titanin” Oliver Kahn si lider të padiskutueshëm të skuadrës.