INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Lajm i mirë për studentët, Rama: Së shpejti me bibliotekë elektronike dhe anglishte falas

Lajm i mirë për studentët, Rama: Së shpejti me bibliotekë elektronike dhe anglishte falas

Publikuar më: 19:29 07-11-2017

Kryeministri Edi Rama ditën e sotme zhvilloi një takim më studentët dhe maturantët ekselentë. Në këtë takim morën pjesë dhe Ministria e Arsimit Lindita Nikolla dhe zv. Ministri i Arsimit Evrin Demo. Rama teksa vlerësoi kontributin e tyre theksoi se ata nuk kanë pasur nevojë as për miq dhe as për parti për të arritur aty ku donin.

“Nuk keni pasur nevojë as për mik, as për parti, as për lekë. Më vjen shumë mirë që kemi në ekipin tonë të qeverisë edhe një person me motivacion të krijuar si kontributor në universitet dhe mbi të gjithë një nga autorët e tekstit të reformës”, tha Rama.

Ai shtoi mes të tjerash se këta studentë, ku shumica e tyre janë vajza, ia kanë dalë. “Nuk është surprizë për mua që shumica e 100 më të mirëve janë vajza. Nga ana tjetër është kënaqësi e veçantë ku më jepet rasti të takojë ata që janë heronj të vërtetë të këtij vendi që janë vajzat dhe djemtë në 9-vjeçare, në shkollë të mesme dhe universitete, ku mund të gjejnë mijëra justifikime që mos të mësojnë; kanë prindërit pa punë, nuk kanë të ardhura, plot problemeve pas të cilave mund të kapen që të mbyllin librin dhe të dergjen kafeneve. Por nuk e bëjnë. Bëjnë diçka krejt tjetër. Më pasion dhe vullnet ëndrrash për të shkëlqyer dhe aty ku nuk ka mundësi”, tha ai.

Po ashtu, para të rinjve Rama rrëfehu dhe ëndrrën e tij sapo erdhi në pushtet, që ishte meritokracia për këtë brez, pa përdorur emra dhe klane partish.

“Një nga ëndrrat që kam pasur kur erdha në detyrë është se çdo vajzë dhe çdo djalë, pavarësisht se kush është i ati, ça të ardhurash kanë, del nga shtëpia në mes të Tiranës, apo në mes të një fshati, mund t’ia dalë nëse e meriton. Ky parakalim ka qenë rutinë në Shqipërinë që kishim dhe studentët ishin klientë të një sistemi që ose të kishe para, ose të kishe mik, fis parti. Ose pastaj kur ishe i shkëlqyer hyje, por duke përjetuar bërryla, shtyrje, rrëzim përtokë. Kjo ka marrë fund. Faktikisht fillimi i fundit të kësaj historie ishte rikthimi i dinjitetit të Maturës Shtetërore”, theksoi ai.

Kryeministri Edi Rama njoftoi se për vitin e ardhshëm do të krijohet një bibliotekë elektronike, ku do jetë e aksesueshme për të gjithë. Po ashtu kryeministri njoftoi se do të ketë mësim anglishteje për të gjithë falas, e cila do të ofrohet në auditorë.

Në fund ai tha se me reformën e re në arsim, të gjithë kanë mundësi të bëjnë atë që duan, dhe askush nuk i pyet se kush është babai apo mamaja e tyre.

 

Article Logic
Execution time: 0.0033910274505615