INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Lame në analizën e punës 4-vjeçare: “Do të testohen të gjithë punonjësit e ALUIZNI-t”

Lame në analizën e punës 4-vjeçare: “Do të testohen të gjithë punonjësit e ALUIZNI-t”

Publikuar më: 13:37 22-08-2017

Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit, Artan Lame deklaroi se ky institucion do ti nënshtrohet një ristrukturimi, e se të gjithë punonjësit do ti nënshtrohen testimit. Lame bëri një analizë të punës së institucionit që ai drejton, përgjatë katër viteve ndërsa e konsideroi një histori suksesi procesin e legalizimit . Kreu i ALUIZNI-t deklaroi se sfidat e 4-vjeçarit të ardhshëm nxjerrin në pah nevojën për të tërhequr burime njerëzore sa më të specializuara dhe me vullnet. I gjithë sektori i pronësimit në Shqipëri, bëri të ditur Lame, ndodhet në prag të një procesi reformimi, përfshirë këtu edhe ALUIZNI-n, me qëllim pajisjen me titull të saktë të çdo prone, pasi pa pronësi të qartë nuk ka investim të sigurt. Në këtë kuadër, vijoi Lame, ALUIZNI do t’i nënshtrohet një ristrukturimi ligjor, strukturor dhe territorial me qëllim që nga njëra anë të bëhet e mundur përshtatja me sfidat e reja të 4-vjeçarit dhe nga ana tjetër të korrigjohen një sërë problematikash që janë vënë re gjatë këtij mandati. Gjithashtu Lame bëri ftesë për të gjithë personat e kualifikuar që duan të bëhen pjesë e këtij institucioni që të aplikojnë aty, pasi tërheqja e burimeve njerëzore sa më të specializuara dhe me vullnet pune është një nga qëllimet kryesore. “Prej sot i deklaroj të hapura dyert e institucionit për çdo specialist të sektorit, që do të dëshironte të aplikonte për t’u bërë pjesë e radhëve tona. Këtij procesi konkurrimi do t’i nënshtrohet e gjithë struktura ekzistuese. Datat, procedurat dhe kërkesat specifike, ku kryesore mbetet profesionalizmi do të bëhen të ditura në ditët në vijim”-deklaroi Lame. Kreu i ALUIZNI-t ndër të tjera përmendi si histori suksesi faktin se procesi i legalizimit tani është falas, ashtu siç u premtua në fillim të mandatit të parë të qeverisë.“E gjetëm institucionin në vitin 2013 pas 8 viteve nën qeverisjen e djathtë me vetëm 21 mijë leje legalizimi të kryera dhe sot kemi arritur në 144 154 leje të kryera. Nga 323 mijë objekte që ishin në sistem në 306 800 pra në 95 % të objekteve ka përfunduar procesi i matjes në terren”, deklaroi Lame. Qarku që ka numrin më të madh është Tirana me 36 267 shtëpi të legalizuara, pasuar nga Durrësi me 27 645 dhe Fieri me 13 836. Po kështu Lame foli edhe për procesin e kompensimit të pronarëve nga i cili kanë përfituar mbi 15 mijë persona. Nga shitja e parcelës ndërtimore, kur trualli është me pronar u grumbulluan 4.8 miliard lekë, të cilat kanë shkuar për kompensimin e pronarëve të këtyre parcelave. Kreu i Legalizimeve tha se ndër çështjet më të vështira e më delikate për t’u zgjidhur është hipotekimi apo legalizimi i pallateve të braktisura nga pronarët që nga viti 1994. Ai e konsideroi këtë si një tjetër objektiv të ALUIZNI-t, që duhet të përmbushet në punën në vijim.

Article Logic
Execution time: 0.0034859180450439