Kapiteni legjendar i kuqezinjve do të përshëndetet me një ceremoni speciale. Lorik Cana do t’i japë fund zyrtarisht futbollit pikërisht përpara ndeshjes ndaj Italisë. Ish-kapiteni i kombëtares, i tërhequr praktikisht që pas finaleve të Europianit verën e kaluar, pritej të bënte ceremoninë përfundimtare dhe zgjodhi pikërisht takimin ndaj italianëve. Ish-mbrojtësi i qendrës do të shkelmojë topin e parë të ndeshjes eleminatore të Kupës së Botës, dhe pastaj do të bëjë xhiron e nderit nëpër pistë, për të marrë duartrokitjet e fundit nga tifozët e kombëtares. Shqiptari i Kosovës, lindur në Prishtinë 34 vjet më parë, debutoi në ekipin përfaqësues në 2003, duke luajtur 93 ndeshje e duke shënuar një gol. Ai njihet si njeriu që ndikoi më shumë në afrimin e lojtarëve nga Kosova në kombëtare, duke qenë vazhdimisht me parimin “një komb, një kombëtare”. Cana luajti vitet e fundit të karrierës në Itali me Lacion, dhe u martua me një vajzë italiane, dhe ndoshta këto kanë qenë arsyet që zgjodhi ta jepte lamtumirën pikërisht ndaj të Kaltërve.