Një personazh gjithmonë simpatik, brenda dhe jashtë ekranit. I tillë u konfirmua edhe këtë radhë, i ftuar në Fun Day për t’iu përgjigjur pyetjeve të Fatmës. Më shumë se një intervistë e mirëfilltë, ajo që u zhvillua në IN Tv ishte bashkëpunim argëtimi ndërmjet dy personazheve si Fatma dhe Landi të cilët me natyrën e tyre simpatike nuk janë asnjëherë monotone apo të zakonshëm. Artisti 35 vjeçar ka sjellë disa të reja mjaft interesante, ku për herë të parë konfirmon se është në një lidhje, dhe shprehet “shumë i dashuruar”.
Në një rrëfim 360 gradë, Landi është rrëfyer mbi të kaluarën me West Side Family dhe të tashmen si artist. Ai shprehet se në ditët e sotme WSF nuk do të vinte ndryshe aspak, me të njëjtat këngë dhe të njëjtin stil, thjesht do kishte sukses më të madh financiar për shkak të mënyrës se si bëhen promot e këngëve dhe të muzikës sot. Landi shton gjithashtu për grupin më të adhuruar hip-hop të viteve 2000 se ata kurrë nuk u ndanë gjatë karrierës së tyre, thjesht bënë pushime herë pas here.
Me rrëfimin që vjen në kohën e tashme, këngëtari i njohur thotë se shumë shpejt do të vijë me një produksion muzikor, por po mendohet mirë pasi ndjehet i pasigurt. Kjo për arsyen e thjeshtë por të dhimbshme se Dr. Flori nuk është më, për ta drejtuar dhe për “t’ia veshur këngën” ashtu siç dinte të bënte vetëm ai.
Nuk mund të mungonte as një prapaskenë mbi performancën shumë të ndjerë gjatë spektaklit “Në 1 Javë”, ku ai këndoi super-hitin “Mesazh” me Mirin dhe Kaltrinën bukuroshe, vajzën e Dr. Flori, e cila e zëvendësi të atin denjësisht. Landi tregon se mendoi që ta këndonte këtë këngë me Kaltrinën dhe me vajzën e Mirit, por kjo e fundit ishte shumë e vogël dhe kështu nuk u realizua dot në këtë formë. Të presim këngën e re të Landit duke i uruar arritje në lartësinë e sukseseve të dikurshme me West Side Family.