Prej dy ditësh, nëpër portalet online kanë qarkulluar lajme për një largim nga Kombëtarja të Taulant Xhakës dhe Shkëlzen Gashit. E shkak për Xhakën ka qenë zëvendësimi në ndeshjen ndaj Zvicrës dhe përplasja e shishes nga nervozizmi. Sipas mediave, kjo sjellje e Xhakës ka çuar në një konflikt mes tij dhe stafit teknik të Kombëtares. Për këtë çështje ka reaguar një ditë më parë edhe vetë babai menaxher i futbollistit, Ragipi.
Pas kthimit në Shqipëri, mesfushori i Bazelit është drejtuar për në Zvicër pranë familjes së tij. Gazeta “Panorama Sport” ka kontaktuar me mesfushorin kuqezi për këtë çështje dhe ka marrë një reagim prej tij. “Nuk është e vërtetë që do të largohem nga Kombëtarja. Nuk e di se kush i trillon këto gjëra. Do të qëndroj me Shqipërinë”, ka deklaruar Xhaka për “Panorama Sport”. Me këtë fjali të thënë, futbollisti i Bazelit u ka vënë kapak të gjitha aludimeve në rrjetet sociale për një largim të mundshëm të tij.
Ndërkohë, një ditë më parë, vetë Ragip Xhaka është kontaktuar nga mediat kosovare në lidhje me këta zëra që kanë qarkulluar, duke e mohuar gjithashtu një largim të djalit të tij nga Kombëtarja jonë.