Ilir Shulku, sekretari i përgjithshëm i FSHF bëri sot prezantimin e trajnerëve të rinj të moshave. Ajo që u vu re ishte largimi i Erjon Bogdanit nga U-19 dhe Eqerem Memushajt nga U-15. Për të parin, Shulku tha se ishte koha faktori kryesor që ndikoi në largimin e tij, pasi në strukturën e re të gjithë trajnerët do të jenë të disponueshëm me kohë të plotë dhe Bogdani nuk mund të përputhej në orare, duke jetuar në shtetin fqinj të Italisë. Për Memushajn ende nuk kemi një arsye të qartë për largimin.
Shulku tha se do të zhvillohen mbledhje çdo javë në zyrat e FSHF për të parë ecurinë e ekipeve dhe për të diskutuar mbi strategjitë dhe seleksionimin e lojtarëve. I pyetur nëse do të ishte edhe Panuçi pjesë e këtyre tryezave sekretari i përgjithshëm tha se:
“Në ato më të rëndësishmet patjetër. Panuçi do jetë aty dhe do marrë pjesë në seleksionimin e lojtarëve, së bashku me trajnerët e tjerë të kombëtares. ”
Gjithashtu sekretari përgjithshëm njoftoi edhe se po mendohet krijimi i ekipeve të tjera, U-16, U-18 dhe U-20, që momentalisht nuk janë funksionale.