Ndërsa ndarja e çmimeve Oscar është praktikisht pas derës, duket se ethet për fituesin janë përhapur tashmë.
Diçka të tillë mund ta themi padyshim për Ledionin, i cili ka ironizuar pretendentin e madh Leo DiCaprio nëpërmjet një videoje të bërë publike nga vetë ai. Prezantuesi i njohur ka veshur fytyrën e aktorit 41 vjeçar për të “shpjeguar” me fjalët e tij mundimet e këtij të fundit në kërkim të një Oscar-i. Ai, nën petkun e DiCaprios natyrisht, “rrëfen” se i është dashur të përdhunohet nga një ari megjithëse ka fjetur me gjysmën e modeleve në botë. Për pjesën e modeleve jemi të bindur, ndërsa për sa i përket ariut... Epo, shihni filmin!
Ç’është e vërteta, gjithë bota e ka ironizuar atë për vite me radhë tashmë, por duket se agonisë së Leos për një çmim Oscar i ka ardhur fundi. Ai është trumpetuar gjerësisht në media si favoriti kryesor për të fituar çmimin për aktorin më të mirë mashkull, megjithëse kritika nuk e ka pritur mirë filmin e tij “The Revenant” apo vetë paraqitjen e aktorit. Interpretimi i Leos është cilësuar si i mirë, më shumë nga vështirësia që roli ka për t’u realizuar, por jo për të fituar çmimin prestigjoz.