INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Liderët ndërkombëtarë, mbështesin presidentin turk

Liderët ndërkombëtarë, mbështesin presidentin turk

Publikuar më: 09:27 16-07-2016

Shtëpia e Bardhë bëri me dije se presidenti amerikan Barack Obama dhe Sekretari i Shtetit John Kerry janë të një mendje, se palët në Turqi duhet të mbështesin qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike.

Dyshja u bëri thirrje palëve të tregohen të përmbajtura dhe të shmangin dhunën e gjakderdhjen në Turqi, një aleat kyç dhe një pjesëtar i rëndësishëm strategjik i koalicionit që lufton kundër Shtetit Islamik.

Kerry , i cili gjendet në një vizitë në Rusi zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm turk, duke i shprehur mbështetjen absolute qeverisë civile dhe institucioneve demokratike.

Ndërkohë një zëdhënës i kancelares gjermane Angela Merkel tha se rendi demokratik duhet të respektohet në Turqi.

Nuk ka munguar as reagimi i Ministrit të Jashtëm britanik Boris Johnson, i cili u shpreh thellësisht i shqetësuar për ngjarjet. Shefja e politikes së Jashtme të BE, Federika Mogerini apeloi për qetësi dhe respektim të institucioneve demokratike.

“Shtetet e Bashkuara ndjekin me shqetësimin më të madh ngjarjet në Turqi”, ishte deklarata e Kerrit. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov theksoi nevojën për të evituar gjakderdhjen duke thënë se problemet në Turqi duhet të zgjidhjen në përputhje me kushtetutën. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Moska ishte thellësisht e shqetësuar nga raportime që vijnë nga Turqia, duke thënë se prioritet ishte sigurimi i institucioneve ruse dhe qytetarëve në shtetin me shumicë myslimane.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon bëri thirrje për qetësi, siç bëri të ditur një zëdhënës i organizatës.

Edhe shefi i i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se Turqia ishte një aleat i vyer duke kërkuar rivendosjen e rendit dhe qetësisë dhe respektimin e plotë të institucioneve demokratike.

Irani u shpreh thellësisht i shqetësuar për situatën, ndërsa shteti i Katarit, një aleat kyç i Turqisë denoncoi dhe dënoi përpjekjen e dështuar për grusht shteti.

Bullgaria ka shtuar patrullimet përgjatë kufirit me Turqinë dhe u bëri thirrje qytetarëve të saj të mos udhëtojnë në vendin fqinjë. Kryeministri Boiko Borisov zhvilloi bisedime me përfaqësues të shërbimeve sekrete lidhur me situatën.

 

Article Logic
Execution time: 0.003695011138916