Kanë përfunduar me surpriza ndeshjet e para në fazën e grupeve në Ligën e Kampionëve. Nata e dytë ka dhuruar spektakël dhe emocion deri në minutën e fundit nga njëri stadium në tjetrin.
Real Madrid ka arritur një fitore të vështirë në “Santiago Bernabeu” përballë Sportingut të Lisbonës. 3 pikët skuadra e Zidanit arriti t’i marrë vetëm në minutat shtesë, pasi portugezët shënuan dhe mbajtën të paprekur rrjetën deri në minutën e fundit të kohës së rregullt. Ka qenë ish-lojtari Sportingut, Ronaldo i cili me goditje dënimi ka barazuar shifrat ndërsa më pas Morata përmbysi gjithçka.
Zhgënjen Juventusi që nuk shkon më shumë se një barazim përballë Sevilla në shtëpi 0-0. Me gjithë insistimin e skuadrës italiane, Higuain dhe Dibala nuk arritën me gjithë rastet e krijuara të kalonin skuadrën në avantazh. Ndërsa fancezët e Lion bënë detyrën duke fituar përballë Dinamos së Zagrebit.
Në ndeshjen tjetër të grupit Borusia e Dortmundit shkatërroi 0-6 Legian e drejtuar nga Besnik Hasi. Një fitore e lehtë kjo për gjermanët duke e hapur serinë e golave me Gecen pastaj me Papastadhopuls, Bartra, Guerreiro, Castro dhe e mbylli me Abumejang.
Lister Siti kampionia e Anglisë e nisi me fitore debutimin e saj të parë në kompeticionin më të rëndësishëm Evropian. Djemtë e drejtuar nga Ranieri mposhtën në transfert Club Brugge me rezultatin 0-3.
Surprizë ishte humbja e Totenhem Hotspur përballë Monakos me rezultatin 1-2.
Ndërsa Mançester Siti, fitoi përballë Borusia Mynshengladbah ndeshjen e shtyrë nga nata e martë për shkak të shiut në Angli. Skuadra e Guardiolës mposhti gjermanët me rezultatin 4-0, me 3 gola të Aguero dhe një të Iheanacho në minutën e fundit të takimit.