Vazhdon aventura hollywood-iane për këngëtaren bukuroshe, e cila tashmë ka kaluar edhe raundin e grupeve në American Idol.
Është vetë Linda ajo që në përmjet rrjeteve sociale ka bërë me dije se është kualifikuar për në fazën e ardhshme që do të fillojë javën që vjen. Pasi ngriti Hollywood-in në këmbë dhe kaloi fazën e grupeve tani e ka radhën raundi solo, në të cilin artistja 26 vjeçare do të performojë e vetme në skenë. Ky është sezoni numër 15 dhe njëkohësisht i fundit për spektaklin shumë të ndjekur American Idol, i cilësuar nga vetë organizatorët si “Sezoni i Lamtumirës”. Pra paraqitja e mundshme në fazat e mëtejshme është një mundësi e mirë për Lindën që të hyjë në historinë e American Idol dhe të mbahet mend si një nga konkurrentet e fundit, dhe pse jo, ajo e fundit fare. Një gjë është e sigurt, talenti nuk i mungon. Të shpresojmë që edhe fati (bashkë me jurinë dhe publikun) të jetë në anën e saj.